Zbulimet në mjekësi po ecin me ritme të shpejta. Sëfundmi, dy shkencëtarët Ugur Sahin dhe Ozlem Tureci që zbuluan vaksinën kundër Covid 19, njoftuan se tashmë kanë testuar vaksinën kundër kancerit dhe kanë arritur rezultate gjatë testeve të para.
Bashkëthemeluesit e BioNTech, kanë bërë të ditur se vaksina e tyre e kancerit ka arritur të ndalojë rritjen e tumorit dhe të zvogëlojë madhësinë e tij.
Testet klinike kanë përfshirë një grup prej 44 pacientësh me kancer, te të cilët është vënë re një reduktim i tumorit në masën 30% në të paktën 59% të rasteve.
Rezultatet u bënë publike në Kongresin e Shoqatës Evropiane për Onkologjinë Mjekësore (ESMO) të mbajtur në Madrid, bën të ditur Hurriyet Daily.
Në 95 përqind të rasteve, kanceri u stabilizua dhe ndaloi progresin pas vaksinimit. Megjithatë, gjatë administrimit të vaksinës, disa pjesëmarrës përjetuan një rritje të reaksioneve inflamatore të varura nga doza, me efekte anësore si ulja e presionit të gjakut dhe temperatura e ngritur e trupit. Këto u vërejtën te 23 individë. Vaksina për të cilën kanë punuar 15 vjet dy themeluesit e BioNTech pritet të trajtojë rreth 10 000 pacientë me kancer deri në vitin 2030.
Ndërkohë janë duke u testuar barna të reja për trajtimin e kancerit të mushkërive, pankreasit dhe zorrës së trashë. Çifti i shkencëtarëve turq u bënë të njohur në të gjithë globin me vaksinën mRNA që ata e zhvilluan menjëherë pas fillimit të pandemisë COVID-19. /albeu.com