Historia e ullirit 2042 vjeçar të Gjormit, pema që prodhon ende ullinj i rezistoi zjarreve dhe luftërave

Ky dru ulliri rreth 2.042 vjecar shpëtoi pa u prerë gjatë Luftës së Parë Botërore nga ushtarët austriakë falë shijes së kokrrave që prodhon. Ai ndodhet në fshatin Gjorm të Kurbinit dhe është ende në prodhim.

“Imar Hysa, studiues… Në kohën kur kaloi ushtria austriake zunë vend tek ullishtja. Ishte dimër, ullinjtë ishin vjelë. Për ti rezistuar të ftohtit filluan të presin ullinjtë, degët, trungjet se nuk e dinë se çfarë ishte. Në këtë kohë njoftohet i pari i fshatit nga banorët. Ai së bashku me një grup marrin një qyp me ulli dhe vijnë takojnë komandanin e ushtrisë Austriake. I dhanë ullinj dhe ju bënë përshtypje. Ai i pyeti çfarë janë këto. I thanë janë kokrrat e këtyre pemëve. Komandanti i tha një ushtari jepju të gjithëve ullinj dhe ju tha mos bëni gabim t’i prisni. Kështu shpëtoi pa u prerë.”tha ai për emisionin Korrospondent.

Kjo pemë ulliri i rezistoi luftrave dhe sistemeve është në pronën e Haxhi Likës. Ai kujdeset që pema me prodhimet e së cilës ushqen familjen të mos dëmtohet. Studuesi Hysa na njeh me parametrat gjigandë të pemës që i rezistoi dhe zjarreve.

“Jemi munduar 8 burra që ta rrethojmë me krahë të hapur. Perimetri i kalon 12 metra e gjysëm deri 13 metra. Trungu është gjigand, vecori është dhe krijimi i zgavrave. Kjo është zgavra më e madhe. Sa krijon zgavra krijon dhe degë të reja.”

Ullinjtë e Gjormit shquhen për shijen e mirë dhe cilësinë e vajit. Kokrrat shtypen me dorë dhe fara del lehtësisht.

“Amvisat ju heqin farat dhe me dy ujë të valuar dhe me pak kripë bëhen tepër të shijshme. S’kanë nevojë për asgjë tjetër. Është shumë cilësor. Përqindja e vajit varjon nga 25-35% në kohën e pjekjes së plotë.”

Studiuesi kërkon që ky ulli të shpallet monument i natyrës.

“Nuk kam reshtur së kërkuari që të shpallet monument kulture ose natyre. Për faktin se se tregon historinë e kësaj ullishte, shpreh traditën e zonës. Është ulli që tregon sfidën ndër shekuj dhe që nuk ka vdekje vazhdon nxjerr filiza të rinj. Kam kërkuar t’i vihet tabela ulli që mbrojet nga shteti.”

Hysa tregon dhe objekte të tjera të fshatit të ndërtuara shekuj më parë.

“Ky është një gur masiv me sipërfaqe të madhe se shërbente për të të shtypur ullinjtë. Rruga është historike, kjo avlli është 150 vjeçare dhe kjo port është me dimensione të mëdha. Kur ndërtonin porta të tilla llogarisnin të futej dhe kali me ngarkesa. Këtu janë të gjitha kullat. Janë bërë nga ustallarë gollobordas pasi ishin mjeshtra të punimit të murit të gurit.”

Gjormi, ky fshat i Kurbinit është njohur dhe për një prej betejave më të famshme të Skënderbeut, atë të Albulenës, e cila u zhvillua në vitin 1457 në një zonë fushore mes fshatit Gjorm dhe Zheje.


Shtuar 14.01.2023 23:02