Historia e Champions League ndër vite, si filloi dhe si do vazhdojë

Që nga krijimi i Kupës së parë kontinentale të klubeve në vitet 1950 e deri te njoftimi për themelimin e një Superlige private, futbolli evropian ka qenë i përçarë midis traditave të tij dhe dëshirës së klubeve të mëdha për më shumë para. Në fakt elita gjithmonë ka luftuar me pjesën tjetër.

1955 – Fillimi si një Superligë private

Ndërsa kishte pasur gara të klubeve ndërkufitare, të tilla si “Mitropa Cup” e paraluftës, gazeta franceze “L’Equipe” e filloi garën moderne të klubeve evropiane kur sugjeroi krijimin e një kupe të klubeve kampione. UEFA, organi drejtues i futbollit evropian, fillimisht nuk donte të bënte asgjë me këtë garë dhe drejtuesit ishin të përgatitur të linin klubet të vazhdonin me të.

Organi qeverisës global i futbollit, FIFA, i shqetësuar se një garë e tillë do të lulëzojë jashtë strukturave zyrtare, e shtyu UEFA-n të hidhej mbi këtë ide dhe të jepte miratimin e saj për fillimin e një gare të tillë. Kupa Evropiane filloi në sezonin 1955/56 me klube nga 15 shtete dhe Saarlandi, një protektorat francez në Gjermani. Në fillim nuk pati klub nga Anglia, shtet që refuzoi një ide të tillë dhe nuk lejoi Chelsean si kampione të futej në këtë garë. Vetëm shtatë nga 16 klubet ishin kampione në fuqi të shteteve të tyre. Disa si kampionët e Holandës, Holland Sport dhe kampioni i Skocisë, Aberdeen, refuzuan të marrin pjesë dhe u zëvendësuan nga klube të tjera prej ligave të tyre. Në disa vende kampionët kombëtarë u kaluan në favor të klubeve më të famshme ose më të përkrahura.

Vitin pasues UEFA kërkoi që secili vend të dërgonte kampionin e tij kombëtar. Kupa e Kampionëve u bashkua shpejt me “Intercity Fairs Cup”, në të cilën qytetet në fillim hynë me ekipe të kombinuara. Kjo edhe u bë gara e parë evropiane me më shumë ekipe për vendet e mëdha pasi u zhvillua në Kupën e UEFA-s më vonë dhe më pas edhe në Europa League. Kupa e Fituesve të Kupave u themelua në vitin 1960 dhe zgjati deri në vitin 1999.

1991 – Më shumë ndeshje

Klubet e mëdha filluan dominimin e tyre në fillim të viteve 1990. Për sezonin 1991/1992, UEFA ra dakord të fuste fazat e grupeve për të garantuar më shumë ndeshje. Në atë sezon, pas dy raundeve nokaut, tetë të fundit garuan në dy grupe me nga katër, me fituesit, Barcelona dhe Sampdoria, që u kualifikuan në finale. Sezonin vijues gara u riemërua në Champions League (Liga e Kampionëve). Prej sezonit 1994/1995, faza e grupeve u zhvendos në fillim të turneut.

1997 – Më shumë klube

Klubet e mëdha shënuan një fitore të dytë në vitin 1997, kur u lejuan të hynin nënkampionët nga nëntë ligat më të mëdha. Në vitin 1999, deri në katër klube u lejuan nga secili vend – në sezonin e parë Italia, Gjermania dhe Spanja ishin përfituesit – dhe një fazë e dytë e grupeve u prezantua për raundin e 1/8 së finales. Kjo rriti numrin e ndeshjeve dhe për këtë arsye edhe të ardhurat. Gjithashtu zvogëloi rrezikun e “eliminimeve të mëdha”, por parashikueshmëria dhe ndeshjet e pakuptimta vonë në fazat e grupeve gjithashtu larguan pjesën më të madhe të dramës.

Faza e dytë e grupeve u braktis në sezonin 2002/2003, por faza e parë e grupeve u mbajt për të hequr qafe klubet e vogla, ndërsa garantoi të paktën gjashtë ndeshje për ato që kualifikoheshin.

2020 – Superliga

Me gjithë popullaritetin e jashtëzakonshëm të garës, klubet e mëdha përgjithmonë duan më shumë.

Zgjidhja e tyre është një ligë evropiane e mbyllur ose gjysmë e mbyllur, me emrin “Super League”.

Shoqata e fuqishme e Klubeve Evropiane (ECA), e mbizotëruar nga klubet më të mëdha, ishte e para që dha kërcënimin. Ky presion bëri që UEFA të dalë me reformën e propozuar të Ligës së Kampionëve këtë javë, me një fazë fillestare prej 36 klubesh që luajnë secili nga 10 ndeshje kundër kundërshtarëve të ndryshëm. Ndërsa shumica e rreth 200 anëtarëve dhe klubeve të asocuara me ECA-n janë të kënaqur me planin, 12 klube, gjashtë nga Anglia, tri nga Italia dhe tri nga Spanja kërcënuan të shkëputen dhe tashmë themeluan Superligën. Zhvillime tjera priten në vazhdim.

/koha.net/


Shtuar 19.04.2021 22:53