Hipi në anijen gjermane për t’i shpëtuar luftës, 18-vjeçarja ukrainase përdhunohet nga dy burra

Teksa lufta në Ukrainë ka lënë pas me mijëra viktima në ditën e saj të 20, një ngjarje mjaft e çuditshme dhe trishtuese ka ndodhur me një 18-vjeçare ukrainase.

Në tentativë për të braktisur vendin, ashtu si bëjnë shumë ukrainas të tjerë për të shpëtuar jetëët e tyre, ajo ka hipur në një anije gjermane.

Por asgjë nuk ka shkuar siç pritej, pasi raportohet se e reja është përdhunuar nga dy burra në bordin e anijes-hotel që Gjermania kishte vënë në dispozicion për evakuimet nga lufta.

E reja ka deklaruar se ishte përdhunuar nga dy burra njëri pas tjetrit, në anijen hotel “Oscar Wilde”, ndërsa pas denoncimit të saj dy burrat janë arrestuar.

Anija raportohet se përveç klientëve me pagesë kishte marrë dhe rreth 25 refugjatë ukrainas që i largoheshin luftës në Ukrainë. Të larguarit nga Ukraina janë kryesisht gra e të moshuar dhe shqetësimet kanë qenë në rritje për mbrojtjen e tyre nga trafikantët njerëzorë që tentojnë t’i kthejnë në viktima shfrytëzimi.