Hidhnin fishekzjarrë në mesnatë dhe prishnin qetësinë publike, arrestohen tre persona në Tiranë

Policia e Tiranës ka arrestuar tre persona, të cilët hidhnin fishekzjarre në mesnatë duke prishur qetësinë e qytetarëve.

Siç bën me dije policia, janë arrestuar:

– Në rrugën “Arkitek Sinani”, është konstatuar shtetasi M. Xh.;

– Në rrugën “Omer Nishani”, është konstatuar shtetasi B. K.;

– Në rrugën ”Spiro Cipi” është konstatuar shtetasi A. V.

Lëndët piroteknike janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, dhe për të tre rastet e mësipërme janë kryer veprimet procedurale dhe materialet i kanë kaluar Prokuorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkelja e rregullave mbi përdorimin e lëndëve plasëse”, parashikuar nga nenet 282 dhe 274 të Kodit Penal.

Policia gjithashtu sjell në vëmendje ligjinë 73, viti 2021 “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e artikujve pirotetenik”, dhe thotë se Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është e vendosur për goditjen e kësaj paligjshmërie dhe bën thirrje për të gjitha subjektet që tregtojnë artikuj piroteknikë, si dhe qytetarëve, që të respektojnë kërkesat e neneve 15, 16 dhe 26 të ligjit “Për magazinimin, shitjen dhe përdorimin e artikujve piroteknikë si dhe masat e sigurisë”.

Në të gjitha rastet kur shërbimet e policisë do të konstatojnë përdorimin e lëndëve piroteknike në kundështim me këtë ligj, për subjektet dhe personat përgjegjës, përveç masave administrative të cilat do të shoqërohen me gjobat përkatëse dhe me sekuestrime të lëndëve piroteknike, do të procedohen penalisht edhe për veprat penale të parashikuara nga nenet 282 dhe 274 të Kodit Penal.


Shtuar 15.04.2024 12:55