Hidhet nga kati i treti i një pallati 59-vjeçari, transportohet në gjendje të rëndë drejt spitalit të Beratit

Një 59-vjeçar është hedhur nga kati i tretë i një pallati në lagjen “Dëshmorët e Kombit” në Berat. A. Elezi, me origjinë nga qyteti i Kavajës dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, Elezi është parë të hyjë në një pallat të kësaj lagjeje dhe më pas ka hipur në bordurën e hyrjes dhe është hedhur, raporton për BalkanWeb gazetarja Eneida Petova.

Banorët e lagjes, pasi kanë dëgjuar zhurmën dhe kanë parë trupin në sheshpushimin e pallatit, kanë njoftuar menjëherë policinë. 59-vjeçari është transportuar me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Beratit dhe aktualisht ndodhet nën mbikëqyrjen e mjekëve, ku i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.

Sipas mjekëve kirurg të spitalit tē Beratit, gjendja e tij është kritike dhe që prej mbërritjes në spital ai nuk ka reaguar. Në vendngjarje kanë shkuar ekspertë të policisë, që po punojnë për zbardhje e plotë të kësaj ngjarjeje, ndërkohë që po kërkohen edhe kontaktet e familjarëve të tij për ti njoftuar për ngjarjen.


Shtuar 28.08.2022 07:33