Hetimet nga Gjermania/ Mashtrimi me “kufje”, lihen në fuqi masat e sigurisë për 7 të arrestuarit e “call center”-ave (EMRAT)

Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masat e sigurimit për 7 nga 8 urdhërarrestet për çështjen e call centerave. Togat e zeza kanë bërë verifikimin dhe lanë në arrest në burg 4 persona dhe 3 të tjerë arrest në shtëpi.

Ndërkohë që një tjetër vijon të jetë në kërkim.

Në mungesë ishin caktuar masat e sigurimit personal arrest në burg për Emiljano Sejdillari, Tafil Dyrmishi, Sokol Krasniqi, Eltion Logu, Rodrigo Guga. Ndërsa arrest në shtëpi për Lisjane Çulani, Mateo Llozhi dhe Kejdi Nuka.

Personat e përfshirë kryenin mashtrime kompjuterike ndaj shtetasve gjermanë, duke operuar nga një Call Center i vendosur në Shqipëri.

Hetimet për këtë rast nisën në fund të vitit 2023 në Gjermani, dhe më pas u transferuan në Shqipëri gjatë vitit 2024. Grupi kriminal përdorte metoda të sofistikuara për të mashtruar viktimat, duke u prezantuar fillimisht si oficerë policie ose hetues financiarë, me pretendimin se po hetonin humbje të ndodhura në investime në Forex apo kriptovaluta.

Pasi fitonin besimin e viktimave, anëtarët e grupit i shtynin ata të kryenin pagesa të reja, duke i zhytur edhe më thellë në mashtrime. Sipas të dhënave të mbledhura gjatë hetimit, dëmi i shkaktuar ndaj qytetarëve gjermanë përllogaritet në rreth 365 mijë euro.

Gjatë operacionit “Pandora”, autoritetet shqiptare kryen kontrolle në një qendër Call Center, duke bërë të mundur sekuestrimin e provave dokumentare dhe digjitale që vërtetojnë aktivitetin kriminal.


Shtuar 2.08.2025 13:16