Një hepatit me origjinë të panjohur po prek fëmijët në mbarë botë.
Sipas, Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 169 të mitur nga një muaj deri në 16 vjeç janë zbuluar në 12 vende të botës. Një ka humbur jetën ndërsa 17 të tjerë i janë nënshtruar transplantit të mëlçisë.
Sipas OBSH është ende e paqartë nëse janë shtuar të prekurit me hepatit apo është rritur ndërgjegjësimi dhe po zbulohen raste të padiagnostikuara.
Adenovirusi është një prej hipotezave ndërkohë që autoritetet shëndetësore po hetojnë për shkakun e tij.
Në Britaninë e Madhe dhe Holandë vihet re qarkullim i ndjeshëm i tij. Testet zbuluan 74 raste. Në 19 prej tyre u konstatua Covid dhe adenovirus.
Shumë prej të prekurve kanë raportuar shqetësime gastrointestinale si dhimbje barku, diarre dhe të vjella. Shenja që i paraprinë hepatit të rëndë akut dhe rritje të niveleve të enzimave të mëlçisë. Shumica e të sëmurëve nuk kishin temperaturë thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Viruset e zakonshme që shkaktojnë hepatitin akut viral sipas saj nuk u zbuluan në asnjë nga këto raste. Ndërkohë OBSH thotë se as udhëtimet ndërkombëtare apo lidhjet me vende të tjera bazuar në informacionet e disponueshme aktualisht nuk janë identifikuar si faktorë./albeu.com