Helmohen nga ushqimi, rreth 30 persona përfundojnë në spital

Afër 30 persona dyshohet se janë helmuar me ushqim në Malishevë, thanë autoritetet shëndetësore në këtë komunë të Kosovës.

Drejtori për shëndetësi në Komunën e Malishevës, Hajdin Berisha, i tha Radios Evropa e Lirë se rastet që janë vlerësuar si më të rënda janë dërguar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Janë edhe një ose dy raste që momentalisht po trajtohen në Qendrën e Mjekësisë Familjare të Malishevës dhe gjendja e tyre është stabile”, tha ai.

Berisha tha se personat që janë dërguar në QKUK “kanë komplikime”, por shtoi se do të mund të japë detaje për gjendjen e tyre shëndetësore vetëm pasi të vizitojë ata në Klinikën Infektive dhe të informohet më shumë.

I pyetur se ku dyshohet se kanë ndodhur helmimet, ai tha se “është një biznes në Malishevë, aty po dyshohet që ka ndodhur”, duke mos dhënë më shumë detaje.

Berisha shtoi se përgjegjësia për cilësinë e ushqimit i përket Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

AUV, si autoriteti më i lartë i ushqimit dhe veterinarisë në Kosovë është përgjegjës për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të njerëzve, përmes sigurisë ushqimore, që Kosova synon ta ketë sipas standardeve të Bashkimit Evropian.


Shtuar 13.10.2023 21:41