Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, në emër të opozitës, i ka paraqitur sot një Notë-Verbale Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, duke vënë në dijeni edhe Komisionin Europian dhe Parlamentin Europian, lidhur me deklaratat e Komisioneres Marta Kos për zgjedhjet e 11 Majit.
Bardhi thotë se opozita është thellësisht e shqetësuar nga deklarata e Komisioneres Kos, e bërë gjatë konferencës për shtyp të 21 nëntorit 2025 në Tiranë së bashku me kryeministrin Edi Rama, ku ajo u shpreh: “Zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme”. Sipas Bardhit, kjo deklaratë nuk përputhet me realitetin e konstatuar në terren dhe bie ndesh me gjetjet e OSBE-ODIHR, si edhe me vërejtjet e eurodeputetëve që monitoruan zgjedhjet.
“Ne shprehim me respekt shqetësimin tonë se ky vlerësim nuk pasqyron realitetin e vërejtur gjatë procesit zgjedhor. Një deklaratë e tillë duket e papërputhshme me gjetjet e OSBE-ODIHR, nuk merr parasysh qëndrimet e shprehura nga Anëtarët e Parlamentit Evropian që shërbyen si vëzhgues të zgjedhjeve në Shqipëri dhe rrezikon të ndikojë besimin e qytetarëve shqiptarë tek institucionet e Bashkimit Evropian,” shkruan Bardhi.
Në dokument, Bardhi i kujton Delegacionit të BE-së edhe mbledhjen e Komitetit për Çështjet e Jashtme (AFET) të Parlamentit Europian, të mbajtur më 4 qershor 2025. Gjatë asaj seance, eurodeputeti Michael Gahler, drejtues i misionit të vëzhgimit të PE-së, paralajmëroi për “strukturat kriminale të ngulitura në Shqipëri që synojnë të ruajnë pushtetin politik për të vijuar aktivitetet e pastrimit të parave dhe trafikut të drogës”. Gahler theksoi se ky ndikim deformon procesin zgjedhor dhe bëhet pengesë serioze për integrimin europian të vendit.
Ndër të tjera europarlamentari Gahlertheksoi se ndikimi i përhapur i këtyre rrjeteve jo vetëm që deformon procesin zgjedhor, por përbën edhe një pengesë themelore për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se Bashkimi Evropian nuk mund të mbyllë sytë ndaj një infiltrimi kaq sistematik kriminal dhe ndikimit të tij shkatërrues mbi demokracinë.
“Ndershmëria kërkon kushte të barabarta për të gjithë garuesit, mundësi të barabarta, mungesë të përfshirjes së grupeve kriminale dhe respektim të plotë të kritereve të Kopenhagenit. Liria kërkon që qytetarët të votojnë pa presion, pa stimuj financiarë të paligjshëm dhe pa intimidim të punonjësve të administratës publike ose të grupeve vulnerabël,” shkruan Bardhi.
Nota-Verbale e grupit parlamentar të PD, mbyllet duke theksuar se: “Opozita në Shqipëri dëshiron të shprehë rezervat e saj lidhur me komentet e Komisioneres dhe kërkon me respekt që deklaratat e ardhshme të jenë në përputhje me vlerësimet e institucioneve kompetente përgjegjëse për vëzhgimin e zgjedhjeve. Përndryshe, interpretimet personale që nuk bazohen në gjetjet faktike të këtyre institucioneve mund të kontribuojnë pa qëllim në uljen e besimit publik tek vlerat e vërteta evropiane që institucionet e Bashkimit Evropian synojnë të mbrojnë”.
