Dega e Partisë Demokratike zyrtare në Vaun e Dejës ka zgjedhur kandidatin e dalë nga procesi I Primareve për të garuar në zgjedhjet e 14 majit.
Bëhet fjalë për Zef Hilën, ndërkohë që lajmi është bërë i ditur nga një postim në Facebook që kjo degë ka bërë. Në postim sqarohet se propozimi për Zef Hilën do t’u përcillet me shkrim Enkelejd Alibeajt, Jorida Tabakut dhe Gazment Bardhit.
Ky është kandidati i parë i zgjedhur nga grupimi Alibeajt, i cili bëri thirrje që PD-ja të garojë me kandidatë të përbashkët në lokalet e 14 majit.
Sakaq duhet të theksojmë se nuk është arritur emde një marrëveshje mes dy grupimeve brenda PD-së për të garuar me kandidatë të përbashkët.
Kujtojmë se sot skadon afati i vendosur nga Komisioneri i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi që Partia Demokratike të plotësojë dokumentacionin në mënyrë që të regjistrohet në zgjedhjet lokale të 14 majit.
PD me kryetar Alibeajn ka më pak se 24 orë afat sipas KQZ që të plotësojë dokumentat me firmën e saktë të Lulzim Bashës që të regjistrohet në zgjedhje.
Postimi:
Pas informimit nga kryetari i degës z. Gentian Ndoj mbi diskutimet e zhvilluara nga Kolegji i Kryetarëve në datën 6 Mars 2023, dhe në vijim të diskutimeve të zhvilluara, Kryesia e Degës së PD Vau Dejës mbështet plotësisht thirrjen e organeve drejtuese për të dalë me një kandidat unik në zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023.
Duke pasur në konsideratë deklaratën e kryetarit në detyrë z. Enkelejd Alibeaj që në këtë proçes do të merren në konsideratë si kandidaturat e dala nga proçesi i primareve të organizuara në vitin 2021, ashtu edhe proçesi i primareve të organizuara në vitin 2022 nga Komisioni i Rithemelimit, konstatojmë se deputeti i zonës z. Zef Hila, është kandidatura e vetme që ka marrë mbështetjen me votë në të dy këto proçese.
Prandaj, në emër të PD Vau Dejës shprehim vullnetin tonë të plotë për të mbështetur z. Hila si kandidat unik të të gjithë demokratëve të Vau Dejësit për zgjedhjet vendore të 14 Majit. Për shkak të kontributit dhe mbështetjes së tij në zonë, jemi të bindur se z. Hila është një kandidaturë fituese.
Këtë propozim, Kryesia e PD Vau Dejës do t’ia përcjell me shkrim z. Enkelejd Alibeaj, znj. Jorida Tabaku dhe z. Gazment Bardhi, si përfaqësues të organeve drejtuese të PD-së. Mbetemi të bindur që vullneti i strukturave drejtuese të PD Vau Dejës do të respektohet, në funksion të fitores së bashkisë dhe bashkimit të demokratëve./AlbEu.com/