Greva në arsim vazhdon! SASHK nuk e pranon ofertën e Qeverisë për rritje të pagave për 10%

Greva e përgjithshme e Sindikatës për Arsim dhe Shkencë vazhdon edhe nesër. Ofertën e Qeverisë për rritjen e rrogave për 10% nuk e pranojnë, për shkak se siç thonë, e njëjta është afërsisht sa është edhe inflacioni, 8,8%, që shumë lehtë do ta “shkrijë” këtë përqindje.

“Këshilli i SASHK-ut diskutoi sot, ndërsa në bazë të qëndrimit të mbi 500 organizatave sindikale të këtyre veprimtarive që janë pjesë e SASHK-ut, përkatësisht, mbi 95% janë shprehur kundër ofertës së dhënë verbale”, tha Jakim Nedellkov, kryetar i SAShK-ut.

Situatë të ngjashme kishte edhe në periudhën prej 2002-2006 kur në pushtet ishte LSDM-ja, thonë nga VMRO-DPMNE-ja duke akuzuar për gjendjen në arsim, në shenjë përkrahjeje për mësimdhënësit.

“Kjo që po ndodh në Republikën e Maqedonisë në lidhje me sektorin e arsimit dhe të gjitha këto protestat përmes të cilave e ngritin zërin të punonjësit në arsim dhe të gjithë ata që e edukojnë popullin, nuk është diçka e rastësishme gjithmonë kur LSDM-ja është në pushtet“, theksoi Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE -së.

Në interes të nxënësve është që procesi i tyre mësimor të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë, thonë nga LSDM-ja.

“Mësimi duhet të vazhdojë, në interes të fëmijëve, përmes dialogut deri te rroga më të larta”, deklaroi Nenad Kociq, deputet i LSDM-së.

Ndërprerja e procesit mësimor mund negativisht të ndikojë ndaj nxënësve dhe procesit edukativ dhe mësimor. Mungesa e mësimit mund ta prolongojë vitin shkollor, negativisht të ndikojë në regjistrimet dhe në dhënien e provimit profesional për rreth 500 mësimdhënës.

Nga SASHK-u reagojnë për, siç thonë, qasjen negative të institucioneve kompetente për negociatat dymujore që janë pa epilog, pa përgjigje dhe pa propozim për kërkesat me shkrim.

Oferta për 10% sipas tyre nuk korrespondon me lartësinë e rritjes së pagës minimale. Nuk ka stimulim për kthimin e dinjitetit të këtij profesioni. Një prej çështjeve më të rëndësishme është harmonizimi i rrogave sipas marrëveshjes kolektive, gjë e cila janë të gatshëm të realizohet me dinamikë prej 2 viteve./TV 21