Kriza e burimeve energjetike që ka kapur botën pas rihapjes prej pandemisë si edhe luftës në Ukrainë ka bërë që qeveria greke të shpejtojë hapat në drejtim të shfrytëzimit të resurseve të vendit në këtë drejtim. Mediat greke bëjnë me dije se kryeministri Mitsotakis pritet të bëjë një njoftim të rendësishëm gjatë ditës së nesërme në lidhje me shfrytëzimin e burimeve të naftës dhe gazit në zonën e Kretës si edhe në Jon.
Greqia vijon prej vitesh kërkimet në Jon, shumë pranë ujërave të diskutueshme me Shqipërinë, madje ka dhënë edhe licenca kërkimi dhe shfrytëzimi për disa kompani, megjithatë sipas Mitsotakisit kjo nuk mjafton, raporton abcnews.al.
“Protothema” shkruan se pritet që kryeministri grek të takohet nesër me drejtuesit e këtyre kompanive dhe do t’ju kërkojë hedhjen e hapave konkretë në drejtim të nxjerrjes së naftës apo gazit nga zonat që kanë marrë për shfrytëzim.
“Ne ju kemi dhënë mbështjetjen, ju duhet të gjeni paratë dhe të nisni shfrytëzimin”, mësohet të jetë mesazhi i nesërm i Mitsotakisit ndaj drejtuesve të këtyre kompanive.
Pak ditë më parë, “Reuters” raportoi se Greqia kishte licencuar një tjetër kompani për të kërkuar naftë dhe gaz në Jon.
Gjithçka pritet të ndodhë në ujërat pranë Shqipërisë, ndërsa dy vendet janë në Hagë për territorin ujor përballë Sarandës dhe Himarës. /abcnews.al