Greg Rama “del në protestë”, ironia e djalit të Kryeministrit për çmimin e karburantit

Rritja e çmimit të karburanti është shndërruar në kryefjalën e të gjithë shqiptarëve. Ka qenë kjo edhe arsyeja pse ditën e djeshme u mbajt edhe protesta e parë përpara Kryeministrisë.

Nuk munguan në këtë protestë as pankartat ironike në lidhje me rritjen e çmimeve. “Erdha nga Laçi pa X5”, “Erdha nga Korça me biçikletë”, ishin vetëm disa nga batutat e djeshme. Protestuesit ndër të tjera kërkuan nga qeveria uljen e çmimeve, por kishte nga ata që kërkuan edhe largimin e Ramës.

Por një ‘protestë’ në mënyrën e tij e ka patur edhe djali i kryeministrit. Greg Rama në rrjetet sociale ka publikuar një foto të para 9 viteve, por që duket se shkon më së miri sot me aktualitetin. Në Instagram, ai ka publikuar foton ku shfaqet një person teksa ecën mbi kalë në mes të Tiranës, mes disa makinave të parkuar.

“Rritja e mirëqënies”, ka shkruar djali i madh i kryeministrit duke ironizuar kështu këtë shëtitje kaq larg pamjes së një metropoli si Tirana.

Ndonëse fotoja është një memorie e para 9 viteve, ai e ka ripublikuar ditën e sotme, duke e përshtatur më së miri me realitetin e këtyre ditëve, që nuk kishte sesi mos ta prekte as atë. Gregu ka zgjedhur që të qëndrojë larg vëmendjes mediatike. I orientuar në rrugën e artit, ai shfaqet rrallë në jetën publike të Tiranës, ose përkrah të atit. Edhe postimet e tij në rrjetet sociale i dedikohen kryesisht punës së tij. Ndaj kjo mënyrë e tij e të ‘protestuarit’ është shumë e veçantë, nëse i referohemi profilit që ai ka.