Inxhinier Hasan Kanaçi, i cili u arrestua tre vite më parë për grabitjen e rreth 6 milionë eurove në Rinas, është shpallur i pafajshëm, pasi ka fituar betejën me drejtësinë.
Henrik Ligori, pedagog në Shkollën e Magjistraturës dhe ish-prokuror, ka publikuar një fotografi me Kanaçi të shkrepur disa ditë më parë dhe tregon kalvarin e përballjes së tij në Gjykatë.
Sipas Ligorit, inxhinier Kanaçi u arrestua pas deklarimeve të rreme të një kolegu, i cili i vënë nën trysninë e hetuesve, për të shpëtuar lëkurën, pohoi se inxhinieri kinse pati filluar operacionin e ngarkimit të parave pa e pyetur atë.
Ai shton më tej se Hasan Kanaçi tashmë ka humbur miqtë e tij, punën ku njihej si një specialist i spikatur dhe tejet i ndershëm, si dhe është rrënuar emri i mirë i tij dhe i familjes së tij.
Postimi i plotë:
Një histori e dhimbshme nga kronika e zezë.
Kjo foto, e shkrepur para disa ditësh, besoj se do të mbetet gjatë në kujtesën time. Më në fund, pasi ndali në të gjitha stacionet e Via Crucis, inxh. Hasan Kanaçi u deklarua zyrtarisht i pafajshëm.
Historia e tij zë fill para tre vjetësh, kur si pasojë e një gabimi të tmerrshëm gjyqësor, ai u vu në arrest, i dyshuar si bashkëpunëtor për vjedhjen me armë të parave të ngarkuara në avionin e shoqërisë “Austrian Airlines”, në pistën e aeroportit të Rinasit. Ishte 9 prilli i vitit 2019.
Elementët e fajësisë të inxhinierit u mbështetën, më së shumti, tek një interpretim thuajse paranojak i pamjeve filmike, larg çdo rregulli të arsyes njerëzore: “… në ecje duket i shqetësuar, dorën e mban në xhepin e djathtë, prej nga në dukje komunikon me mesazhe; pas ngarkimit të vlerave monetare, teksa largohet nga pista, sheh në drejtim të hyrjes nga mësynë keqbërësit, të cilëve në dukje u bën shenjë që të afrohen…”
Këto dokrra u mbështetën nga deklarimet e rreme të një kolegu, i cili i vënë nën trysninë e hetuesve, për të shpëtuar lëkurën, pohoi se inxhinieri kinse pati filluar operacionin e ngarkimit të parave pa e pyetur atë. Një detaj tërësisht i rremë, i verifikuar më pas nga këqyrja më e përimët e pamjeve filmike, por edhe pa pikën e rëndësisë në shpjegimin e rrjedhës së mëtejshme të ngjarjes dhe të elementëve të fajit.
Vuajti padrejtësisht mëse 6 muaj paraburgim, larg nga vajza e mitur dhe nga nëna e pamundur, humbi punën ku njihej si një specialist i spikatur dhe tejet i ndershëm, emri i mirë i tij dhe i familjes u rrënua.
I lënduar në shpirt më rrëfeu sesi disa ish-kolegë ende bëjnë sikur nuk e kanë njohur kurrë, kurse disa komshinj, me të cilët nuk e kishte sjellë rasti të njihej (kishte vetën tri muaj që banonte në atë pallat), sot e përshëndesin me një lloj frike të përzier me “respekt”: me siguri mendojnë se është nga ata të fortët, shoku i atyre që grabitën paratë në Rinas! Për fat të mirë, ideatori i kalvarit të inxhinierit, i cili me guximin që të jep injoranca dhe ligësia, ngulte këmbë në fajësinë e tij, sot nuk mund të bëjë më dëme të tilla.
Tash e tutje, i gëzuar që doli nga ky tunnel, inxh. Hasan Kanaçi nuk i ka mundësitë të pushojë si gjithë bota: i duhet të punojë për të mbajtur familjen dhe të luftojë ende për rikthimin e plotë të të gjitha të drejtave.
Çlodhu, Ani, dhe harroje sa më shpejt këtë ëndërr të keqe!