Goditet banda e shpërndarjes së kokainës në Itali, dy shqiptarë në pranga

Më shumë se 3 kilogramë kokainë janë gjetur dhe sekuestruar nga policia financiare e Perugias, e cila ka arrestuar dy persona.

Policia kontrolloi katër prona në komunat e Perugia dhe Bastia Umbria të cilat ishin nën zotërimin e të dyshuarve.

Gjatë operacioneve u gjetën tre blloqe, të fshehura me zgjuarsi, që përmbanin gjithsej mbi 3 kilogramë kokainë të pastër, e cila nuk ishte prerë ende, ndërsa 40 gramë të tjera kokainë ishin gati për t’u hedhur në treg.

Gjatë kontrollit, u gjetën gjithashtu rreth 1.8 kilogramë lëndë prerëse e nevojshme për paketimin e dozave individuale dhe rreth 600 euro që mendohet se janë të ardhura të trafikut të paligjshëm.

Gjatë fazave të hetimit, në të cilat, sipas Prokurorisë, janë dokumentuar episode të shumta të shpërndarjes së drogës, përveç teknikave tradicionale të hetimit, janë përdorur teknologji të avancuara telefonike dhe mjedisore, si dhe lokalizimi satelitor.

Këto aktivitete bënë të mundur zbulimin e ekzistencës, në zonën e Perugias, të një grupi të dyshuar kriminal të përbërë nga shqiptarë dhe italianë, të cilët mund të tregtonin sasi të mëdha lëndësh narkotike.
Pas kontrolleve, efektivët e njësisë së policisë ekonomiko-financiare të Perugias, Gico, arrestuan dy personat, të dy me origjinë shqiptare, të cilëve iu gjet droga në flagrancë./Albeu.com 


Shtuar 11.11.2023 16:28