Gjyshërit në Ukrainë: Detyrohemi të flemë në banjë, është i vetmi ambient i pashkatërruar i shtëpisë

Një gjyshe e bllokuar pranë vijës së frontit të luftës në Ukrainë është detyruar të flejë në një karrige në banjën e saj, pasi është i vetmi ambient në banesë, i mbrojtur nga bombardimet. Vera Hurovaya dhe i shoqi Vladimir Krupenya jetojnë në bllokun e fundit të banesave të mbetura në buzë të Kharkiv.

Fqinjët janë larguar nga distrikti Saltivka, që tashmë është kthyer në një zonë të shkretë për shkak të bombardimeve të pandërprera ruse. Por Vera, 73 vjeçe dhe Vladimiri, 83, nuk kanë ku të shkojnë. Çifti i  rraskapitur tregoi se kishin fjetur mbi stole druri në banjën e ngushtë dhe me qirinj që kur trupat e Vladimir Putin pushtuan Ukrainën më 24 shkurt. Shtëpia e tyre e rrethuar është vetëm 4 kilometra nga pozicionet e Rusisë. Ata nuk janë në gjendje as të shtrihen as në banjën e tyre pasi e mbajnë të mbushur me ujë për të pirë, gatuar dhe larë pasi çezmat funksionojnë rrallë.

Dhe për shkak të moshës nuk kanë mundësi të bëjnë vrapimin për jetë a vdekje në një strehë nëntokësore ndërsa raketat dhe bombardimet me tanke përplasen ditën dhe natën. Historia e tyre tronditëse erdhi ndërsa forcat ruse shpërthyen pesë stacione hekurudhore në Ukrainën qendrore dhe perëndimore disa orë pasi Sekretari i Shtetit i SHBA-së Antony Blinken udhëtoi me hekurudhë për në kryeqytetin Kiev.

Sekretari i Mbrojtjes së Britanisë, Ben Wallace, zbuloi gjithashtu se rreth 15,000 trupa ruse janë vrarë gjatë pushtimit. Rusia ka humbur gjithashtu më shumë se 2000 automjete të blinduara, duke përfshirë 530 tanke dhe 60 helikopterë dhe avionë.

Vera mallkoi të ashtuquajturit paqebërës rusë, të cilët supozohet se po “de-nazizojnë” Ukrainën dhe qau: “Çfarë po na bëjnë? Nuk e kuptoj”. Në banesën e tyre të dëmtuar përdhese, Vera fle me një jastëk në lavaman ndërsa Vlad mbështetet te dera e banjës.

Ai tha: “Babai im vdiq në Luftën e Dytë Botërore duke luftuar kundër nazistëve. Mund të imagjinoja të na e bënin nazistët këtë, por rusët?

Nënkryetarja e bashkisë Sveltana Horbunova tha se ata që mund të iknin e kishin bërë tashmë këtë. Ajo shtoi: “Kanë mbetur kryesisht pleq në qytet, vullnetarë, ushtarë dhe familjet e tyre. Disa njerëz nuk mund të përballojnë të largohen, disa njerëz nuk kanë ku të shkojnë”.