Këtë të mërkurë, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, u zhvillua seanca e radhës ndaj grupit të drejtuar nga Laert Haxhiu, i konsideruar si rival i kreut të “Bandës së Lushnjës”, Aldo Bare.
Gjatë seancës së sotme, u dëgjua dëshmia e Elvis Shehut, lidhur me vrasjen për hakmarrje të Çajup Selimi, kundërshtar i grupit të Haxhiut, ngjarje e ndodhur pesë vite më parë.
I pyetur nëse e njihte Selimin, dëshmitari u përgjigj po. Sa i përket ditës së ngjarjes, ai tregoi se më 1 qershor 2021 kishte qenë në shoqërinë e viktimës.
Sipas tij, e kishte marrë nga vendi i punës, kishin dalë për shëtitje dhe më pas e kishte lënë pranë banesës së tij, në rrugicën e lagjes.
Shehu deklaroi se rreth 20 minuta më vonë ishte kontaktuar nga policia, e cila e kishte njoftuar se Selimit i kishte ndodhur diçka.
I pyetur nga prokurorët nëse viktima kishte pasur probleme, ai tha se nuk kishte dijeni për ndonjë konflikt.
Ndërsa lidhur me mundësinë që Selimi të ishte shoqëruar ndonjëherë në komisariat, dëshmitari përmendi vitin 1997, duke shtuar se në atë kohë kishte qenë i mitur.
Sa i përket reputacionit të tij në komunitet, Shehu e përshkroi Selimin si një person alegro dhe biznesmen të njohur.
