Gjyqi i madh financiar në Vatikan, Kardinali dënohet për përvetësim fondesh, ngre pikëpyetje mbi pushtetin e Papa Françeskut

Një gjykatë në Vatikan shpalli fajtor një kardinal për përvetësim të fondeve dhe e dënoi atë me 5 vjet e gjysmë burg, në mesin e një sërë vendimesh të një gjyqi të ndërlikuar financiar që vuri në provë sistemin e drejtësisë së këtij shteti.

Kardinali Angelo Becciu, i pari kardinal që u gjykua nga Gjykata Penale e Vatikanit, u gjet i pafajshëm për një sërë akuzash të tjera, ndërkohë që ndaj 9 të pandehurve të tjerë pati vendime që i shpalli fajtor dhe të pafajshëm, lidhur me afro 50 akuza që ishin ngritur ndaj tyre gjatë një procesi gjykimi që zgjati dy vjet e gjysmë.

Avokati i kardinalit Becciu, Fabio Viglione tha se ai e respektonte vendimin, por do ta apelonte. Prokurori Alessandro Diddi tha se vendimi tregoi se “kishin të drejtë”.

Gjyqi u përqëndrua në investimin e sekretaritatit të Shtetit të Vatikanit në vlerën e 350 milionë eurove për të kthyer një ish magazinë të ‘Harrods’ në apartamente luksi.

Prokurorët pretendojnë se zyrtarët e Vatikanit dhe agjentët e pasurive të paluajtshme e mashtruan Vatikanin për miliona euro në tarifa dhe më pas e zhvatën Selinë e Shenjtë për rreth 15 milionë euro për kontrollin e ndërtesës.

Kardinali Becciu u akuzua për përvetësim në dy raste të lidhura me marrëveshjen e Londrës dhe përball me deri në shtatë vjet burg.
Përfundimisht, ai u dënua për përvetësim që rrjedh nga investimi origjinal i Vatikanit prej 200 milionë eurosh.

Gjyqi kishte ngritur pikëpyetje në lidhje me sundimin e ligjit në Vatikan si dhe pushtetin e Papa Françeskut, duke pasur parasysh se ai zotëron autoritetin suprem legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.


Shtuar 16.12.2023 23:50