Trupi gjykues në Gjykatën Speciale në Hagë, ka konstatuar se Kadri Veseli dha kontribut në zbatimin e asaj që gjykata e cilëson si “qëllim të përbashkët kriminal” dhe ishte një nga anëtarët kyç të UÇK-së në realizimin e tij.
Sipas gjykatësit Charles Smith, Veseli veproi së bashku me të akuzuarit e tjerë në zbatimin e këtij qëllimi, si dhe mori pjesë në kryerjen e krimeve dhe inkurajoi kryerjen e tyre.
Të lidhura
Sipas konstatimeve të trupit gjykues, Veseli ishte shef i Drejtorisë së Zbulimit, e cila kishte si përgjegjësi kryesore zbulimin dhe neutralizimin e personave që dyshoheshin se ishin kolaboracionistë.
Gjykata ka konstatuar se Veseli, së bashku me persona të tjerë, emëroi persona besnikë në pozita kyçe për zbatimin e planit të tyre, ndërsa shumë prej këtyre personave, sipas gjykatës, ose kryen krime ose ishin në dijeni të kryerjes së tyre.
Sipas trupit gjykues, Veseli u përfshi personalisht në zbatimin e qëllimit të përbashkët dhe në identifikimin e kundërshtarëve, shumica e të cilëve, sipas konstatimeve të gjykatës, u vranë.
Trupi gjykues ka konstatuar gjithashtu se Veseli kishte dijeni për dëmtimet e kryera ndaj kundërshtarëve, arrestimet e paligjshme dhe keqtrajtimet.
Sipas gjykatës, ai mori pjesë aktivisht dhe i inkurajoi këto veprime, si dhe drejtoi organizimin që merrej me ndalimin, keqtrajtimin dhe vrasjen e kundërshtarëve.

