Gjykata Kushtetuese pranon kërkesën e PD për shfuqizimin e ligjit për taksimin e profesioneve të lira

Gjykata Kushtetuese ka pranuar në Dhomën e Këshillimit padinë e Partisë Demokratike për taksimin e profesioneve të lira.

Kujtojmë se deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka depozituar më parë padinë në Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se tatami mbi profesionet e lira është i padrejtë, dhe se prek shtresën e mesme të popullsisë.

“Besoj se është një shenjë që grupi parlamentar i PD-së dhe individët e Komisionit të Ekonomisë janë të shqetësuar për të mirën publike, për dëmin që po shkakton në këtë shtresë të caktuar të popullsisë dhe janë të shqetësuar sepse sot buxheti i shtetit është kthyer në një listë favoresh”, tha Tabaku, në një prononcim për mediet, pas depozitimit të padisë.

Ajo i bëri thirrje pak kohë më parë Gjykatës Kushtetuese të ngrihet në nivelin që i takon dhe të japë një vendim në të mirën publike.

“Shpresoj shumë që Gjykatat Kushtetuese të ngrihet në nivelin që i takon, dhe të mos caktoj precedentë që janë të rrezikshme për besueshmërinë e saj, e të jap një vendim në të mirë publike, që në këtë rast shkon me shtresën e mesme. I bëj thirrje kujtdo që do t’i bashkohet kësaj padie si palë, që është i interesuar të jap mendimin e vet, nga institucioni i avokatit të popullit, e institucionet e tjera, që duan t’i bashkohen kësaj nisme të grupit parlamentar të PD. Ne besojmë tek forca që kanë institucionet dhe tek ligji, shpresojmë që Gjykata Kushtetuese të mos zhgënjejë ato që besojnë të institucionet”, deklaroi ajo.

VENDIMI I GJYKATES 

Ju njoftojmë se në shqyrtimin paraprak të kërkesës së kërkuesve jo më pak se 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt: “Shfuqizimi i nenit 24, pika 2 nenit 69, pika 1. germa “d”, fjalia e dytë, të ligjit nr. 29/2023 “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, i ndryshuar, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 05.04.2024, bazuar në nenin 21, pika 1, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, (ligji nr. 8577/2000), ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike si dhe thirrjen në këtë gjykim, në cilësinë e subjekteve të interesuara, Kuvendin e Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave.

Për zhvillimin sa më të plotë të këtij gjykimi, Gjykata Kushtetuese e çmon të nevojshme vënien në dispozicion, brenda datës 21.05.2024, të parashtrimeve me shkrim, nëse keni argumente shtesë për kërkesën e paraqitur. Parashtrimet, si dhe çdo dokument/material të paraqitet në aq kopje sa janë palët.

Gjithashtu, ju informojmë se mund të paraqiteni në Gjykatën Kushtetuese për studimin e dosjes gjyqësore për këtë çështje, pas komunikimit paraprakisht në numrin 042232373.

Kërkesa, parashtrimet, si dhe materialet e paraqitura prej jush do t’u komunikohen edhe palëve të tjera pjesëmarrëse në këtë proces./albeu.com


Shtuar 26.04.2024 10:32