Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës, ka rrëzuar padinë e bërë nga kryesocialisti Edi Rama, kundrejt ish-kryedemokratit, Lulzim Basha.
Sipas institucionit të drejtësisë, padia e bërë nuk është e bërë mbi bazën e provave e të ligjit.
Kryeministri mund të bëjë ankim të këtij vendimi në shkallën e Apelit, brenda 15 ditëve, duke nisur nga sot.
Në padi, Rama kërkonte dëmshpërblim nga Basha në vlerën e 1 milion Lekëve, duke i pretenduar si të pavërteta deklaratat e bëra nga ish-kryedemokrati më 22 Tetor 2018.
Po ashtu, Rama kërkonte që Basha të paguante shpenzimet gjyqësore dhe ato të avokatëve. Gjykata, pasi ka shqyrtuar çështjen nuk ka gjetur prova për të provuar fajësinë e Bashës.
“Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Civile, më datë 11.06.2025, pasi shqyrtoi në seancë gjyqësore, në praninë e përfaqësuesit të palës paditësë, kërkesën me paditës: Edi Rama, të paditur Lulzim Basha, me objekt: “1. Detyrimi i të paditurit të shpërblejë dëmin jo pasuror, shkaktuar paditesit, si rezultat i thënieve të pavërteta të deklaruara prej tij, nga selia e Partisë Demokratike, në prononcim për mediat me datë 22.10.2018, në shumën 1.000.000 (një milion) lekë si dhe shpenzimet gjyqësore dhe ato avokatore. 2. Detyrimi i të paditurit të publikojë një përgënjeshtrim në të gjitha mediat që kanë publikuar deklaratën apo lajmin mbi të, sipas listës së përcaktuar në pikën D.2 të kërkesë padisë”.
Gjykata, bazuar në rrethanat e konstatuara gjatë hetimit gjyqësor, në dispozitat ligjore përkatëse dhe në arsyetimin e mësipërm, çmon se padia nuk duhet pranuar pasi është e pabazuar në ligj dhe në prova,
PËR KËTO ARSYE;
Gjykata mbështetur në nenet 126, 306 deri 310 të Kodit të Procedurës Civile
V E N D O S I:
1. Rrëzimin e padisë pasi është e pabazuar në ligj e në prova.
2. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës paditëse.
3. Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit Juridiksioni i Përgjithshëm brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve duke nisur afati nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.
Shpallet sot në Tiranë më datë 11 qershor 2025“, njofton Gjykata e Tiranës.