Gjykata e Lezhës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për 40-vjeçarin Besnik Koldreu, i arrestuar si bashkëpunëtor në vrasjen e bashkëshortëve Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, ngjarje e ndodhur më 26 prill të këtij viti në fshatin Balldren të Lezhës.
Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, Koldreu ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me ekzekutimin e çiftit.
Të lidhura
None found
Ai mësohet të ketë dëshmuar: “Jetoj dhe punoj në Malin e Zi. Nuk kam dijeni që autorët e krimit kanë fshehur makinën e përdorur prej tyre në afërsi të banesës ku jetojnë prindërit e mi (Torovicë)”.
Pavarësisht këtij qëndrimi, gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe ndaj tij caktoi masën “Arrest në burg” për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, e kryer në bashkëpunim.
Besnik Koldreu u vu në pranga nga policia malazeze në Ulqin pasditen e 17 qershorit, pasi ishte shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në vrasjen e çiftit Mujeci.
Ndërkaq, tre persona të tjerë të dyshuar për këtë krim të rëndë vijojnë të jenë në arrati. Bëhet fjalë për Renato, Florin dhe Adriano Mhillaj, të cilët dyshohet se e kanë kryer vrasjen në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Sipas hetimeve, çiftit iu ngrit pritë në fshatin Balldren dhe u ekzekutua me rreth 30 plumba, ndërsa po lëvizte në drejtim të Torovicës. Një prej pistave kryesore që po hetohet është hakmarrja, pasi viktima Kreshnik Mujeci ishte akuzuar për vrasjen e Genc Mhillaj në vitin 2016, por deri tani rezultonte të mos ishte dënuar.
