Gjykata e Lartë, ka lënë të pandryshuar vendimin për sekuestrimin e vilës së Monika Kryamdhit në Tiranë, duke mos i pranuar rekursin.
“Mospranimin e rekursit të personit nën hetim Monika Kryemadhi, kundër vendimit nr. 67 (87-2024-385), datë 17.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme e Apelit, vendosi të heqë sekuestron mbi njërën prej vilave të familjes Kryemadhi në zonën e “Kodrës së Diellit”, duke ia kthyer pronësinë nënës së saj, Fatime Kryemadhi.
Në shkallën e parë, SPAK kishte kërkuar sekuestrimin e të dyja pronave, por Gjykata e Apelit vendosi të lirojë një prej tyre nga masa parandaluese.
GJKKO ka caktuar ndaj Monika Kryemadhit masën e sigurisë “detyrim paraqitje” pas bashkimit të dosjeve për çështjen CEZ-DIA, lobimin në SHBA të ish-LSI-së, si dhe hetimin pasuror ndaj tyre.
Ndaj saj janë ngritur akuzat për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2(dy) raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.