Gjykata e Lartë e Madridit ka dënuar me 24 vjet burg José Luis Ábalos, ish-ministrin e Transportit dhe një prej figurave më të rëndësishme të Partisë Socialiste të Punëtorëve Spanjollë (PSOE), pasi e gjeti të përfshirë në një skemë korrupsioni gjatë pandemisë Covid-19.
Sipas vendimit të gjykatës, Ábalos është shpallur fajtor për organizim kriminal, korrupsion, përvetësim të fondeve publike dhe ndikim të paligjshëm, në lidhje me kontratat e lidhura për shitjen e maskave mbrojtëse në kohën e krizës globale shëndetësore.
Të lidhura
None found
Në të njëjtën çështje është dënuar edhe ish-këshilltari i tij, Koldo García, i cili ka marrë 19 vjet burg për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe abuzim me detyrën.
Vendimi, sipas njoftimit të gjykatës, është marrë unanimisht. Trupa gjykuese ka arritur në përfundimin se të pandehurit ngritën një strukturë kriminale të organizuar, me role të ndara, e cila kreu vepra të rënda korruptive gjatë periudhës së pandemisë.
Në këtë dosje është përfshirë edhe biznesmeni Víctor de Aldama, i dënuar me 4 vite e gjysmë burg. Megjithatë, dënimi ndaj tij është pezulluar për shkak të bashkëpunimit me hetuesit.
Sipas hetimeve, në këmbim të dhënies së kontratave publike për furnizimin me miliona maska gjatë pandemisë, Ábalos ka përfituar pagesa shtesë mujore, pagesa për udhëtime familjare, shërbime personale dhe përfitime të tjera, mes tyre edhe pagesa të paligjshme.
Rasti ka marrë një peshë të madhe politike në Spanjë. Gjatë dëshmisë së tij, biznesmeni De Aldama ka pretenduar se kryeministri Pedro Sánchez qëndronte në krye të një rrjeti të organizuar, akuza që kanë ndezur një debat të fortë në skenën politike spanjolle.
Ábalos konsiderohej si një nga njerëzit më të afërt të Sánchez dhe një figurë kyçe në ngritjen e tij politike. Më herët, ai ka mbajtur edhe detyrën e sekretarit organizativ të PSOE-së, duke u renditur ndër personat me më shumë ndikim brenda partisë.
Hetimet dhe ky vendim gjyqësor pritet të sjellin pasoja të tjera politike në Spanjë, ndërsa çështja vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes së opinionit publik.
