Ditën e djeshme, Gjykata e Lartë e Colorados, vendosi se Donald Trump, nuk ka të drejtë të kandidojë për president të SHBA-ve, për shkak të veprimeve të tij antikushtetuese në sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol nga mbështetësit e tij, një vendim që është përshkruar si një tronditje politike me pasoja potencialisht të rënda.
Vendimi i Gjykatës së Lartë të Colorados, që mund të merret nga Gjykata e Lartë e SHBA, e bën Trumpin kandidatin e parë që konsiderohet i papërshtatshëm për Shtëpinë e Bardhë, sipas një dispozite kushtetuese të përdorur rrallë që ndalon zyrtarët që janë përfshirë në “kryengritje ose rebelim” nga mbajtja e detyrës.
Vendimi zbatohet vetëm për zgjedhjet paraprake republikane të Kolorados më 5 Mars, por mund të ndikojë në statusin e Trump në shtet për zgjedhjet e përgjithshme të 5 Nëntorit.
Ky është përdorimi i parë ndonjëherë i Seksionit 3 të Amendamentit të 14-të të Kushtetutës së SHBA për të skualifikuar një kandidat presidencial.
Gjykata tha se do të shtyjë vendimin deri të paktën me 4 Janar 2024, për të lejuar apelimin ndërsa ish-presidenti Trump, u zotua se do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë të SHBA-së.
Vendimi shtron terrenin për Gjykatën e Lartë, shumica konservatore e së cilës me 6-3 përfshin tre të emëruar nga Trump, për të shqyrtuar nëse ai ka të drejtë të shërbejë një mandat tjetër si president.
Një zëdhënës i fushatës së Trump e quajti vendimin e gjykatës “jodemokratik”. “Gjykata e Lartë e Kolorados nxori një vendim krejtësisht të gabuar sonte dhe ne do të apelojmë me shpejtësi në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara”, tha një zëdhënës nga fushata e Trump.