Gjykata e Dubait rrëzon kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Florenc Çapjas

Gjykata e Apelit në Dubai rrëzoi të martën kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e një të kërkuari për vrasje të dyfishtë për mungesë provash.

Mësohet nga mediat e huaja se bëhet fjalë për Florenc Çapjan.

Bëhet me dije se autoritetet shqiptare paraqitën një kërkesë në fillim të vitit të kaluar duke kërkuar ekstradimin e tij me akuzën e lehtësimit të vrasjes, mbajtjes së armëve pa leje dhe si pjesëtar i një grupi kriminal të strukturuar.

Awatif Mohammed, avokatja e Florenc Çapjas, tha se kërkesa u refuzua sepse Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Shqipëria nuk kanë bashkëpunim me njëri-tjetrin për ekstradimin dhe se i akuzuari nuk ishte në Shqipëri kur u krye krimi.

Sipas medias së huaj hetuesit në Shqipëri kanë njoftuar autoritete në Dubait se Çapja, 40 vjeç, punësoi dy vrasës në vitin 2012 dhe u pagoi atyre një shumë prej 50,000 € (56,447 dollarë) për të vrarë dy persona, babë e bir, raporton Gazeta Shqip.

Oficerët në Dubai arrestuan Florenc Çapjan, dhe çështja u ngrit për herë të parë vitin e kaluar. Ai u mbajt në paraburgim kur zbriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait më 31 maj 2021, teksa mohoi të gjitha akuzat. Nga ana tjetër mësohet se gruaja e tij pagoi 200,000 Dhah me kusht dhe ai u lirua gati dy muaj pas arrestimit të tij, por çështja vazhdon ende.

“Klienti im u ndalua për gati 60 ditë,” tha avokati Mohammed. “Të dhënat vërtetuan se ai ishte në Maqedoni kur krimi u krye në Shqipëri, tha ajo.

Media e huaj raporton se burri i tha gjykatës se akuzat dhe kërkesa për ekstradim kishin për qëllim dëmtimin e reputacionit të familjes së tij, e cila po garonte aso kohe në zgjedhjet elektorale në Shqipëri.

“Një nga anëtarët e familjes së tij kandidoi për zgjedhjet në Shqipëri dhe klienti im beson se kërkesa për ekstradim me akuzën e vrasjes që nuk e ka kryer në kohën e zgjedhjeve është një përpjekje për të prishur reputacionin e familjes së tij dhe për të ndikuar në opinionin publik-“tha zonja Mohammed.


Shtuar 2.02.2022 14:47