Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur t’i kalojë shtetit 21 pasuri, duke pranuar pjesërisht kërkesën e SPAK-ut të paraqitur në bazë të ligjit antimafia.
Vendimi u shpall këtë të mërkurë nga gjyqtarja Irena Gjoka, pas shqyrtimit të kërkesës për konfiskimin e pasurive që lidhen me Eridan Munoz Guerrero, Deljana Nebiu, Sokol Çamer, Julian Veliu, Lenkos Nebiu, si edhe me disa persona të tretë.
Të lidhura
None found
Pasuritë që do të administrohen në favor të shtetit përfshijnë prona të paluajtshme e të luajtshme, si apartamente, njësi shërbimi, banesa me truall, automjete, rimorkio dhe llogari bankare.
Mes pasurive të konfiskuara janë disa apartamente në pronësi të Deljana Nebiut, të blera në Vlorë dhe në qytete të tjera, si edhe njësi shërbimi dhe prona të regjistruara në emër të Deljana Nebiut dhe Eridan Nebiut.
Në vendim përfshihen gjithashtu tre banesa me truall në pronësi të Eridan Nebiut, Sokol Çamerit dhe Julian Veliut, si dhe apartamente, një garazh dhe një depo të përfituara nga Sokol Çamer.
Lista përfshin edhe një automjet të tipit Audi A8, një rimorkio të importuar nga Italia dhe disa llogari bankare ku ndodhen mijëra euro e miliona lekë. Këto llogari ishin sekuestruar më herët në kuadër të letërporosive të autoriteteve belge.
Gjykata urdhëroi njëkohësisht heqjen e sekuestros për pesë pasuri të tjera, ndër të cilat dy apartamente, dy automjete dhe një apartament i blerë në vitin 2022.
Konfiskimi është i zbatueshëm menjëherë pas shpalljes së vendimit. Administrimi i pasurive do t’i besohet Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në varësi të Ministrisë së Brendshme.
Vendimi mund të ankimohet nga palët brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
