Përmes një postimi në “Facebook”, ish-presidenti i vendit Ilir Meta, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës së Posaçme, që la në fuqi masën “arrest me burg” ndaj tij.
Ai akuzon organet e drejtësisë, për veprim të orkestruar politikisht dhe paralajmëron betejë në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe në opinionin publik.
“Askush të mos çuditet nga një drejtësi me regji, ku SPAK përgjon gjykatat dhe ku akuzat formulohen në tribunat e Rilindjes”, shkruan Meta.
Ai u bën thirrje qytetarëve dhe gazetarëve të ndjekin argumentet mbrojtëse të Partisë së Lirisë: Sot, në orën 17:30, përmes një deklarate të Sekretarit të Përgjithshëm, Tedi Blushi. Nesër, në orën 11:00, për një konferencë live për media, ku Meta do të përgjigjet nëpërmjet telefonit ndaj pyetjeve të gazetarëve.
“Nuk ka fuqi që i mbyt të vërtetat e Ilir Metës dhe kauzat e Partisë së Lirisë”, përfundon ai mesazhin e tij.