GJK pezullon ratifikimin e marrëveshjes për refugjatët, lajmi bën bujë në mediat italiane: Dush i ftohtë…

Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se ka marrë në shqyrtim padinë e bërë nga deputetët e opozitës, Berisha-Bardhi, kundër marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët. Pas kësaj pezullohet automatikisht procedura e ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes me Italinë.

Mësohet se seanca për shqyrtimin e padisë së opozitës do të mbahet në 18 janar, në orën 10:00.

Ky lajm ka marrë jehonë të gjerë në mediat italiane, po ashtu një palë e interesuar, të cilat kanë shkruar gjerësisht mbi marrëveshjen.

Prestigjiozja italiane “La Repubblica”, shkruan se vendimi i Kushtetueses për pezullimin e ratifikimit të marrëveshjes erdhi pas dy ankesave të bëra nga Partia Demokratike e Tiranës dhe nga deputetë pranë ish-kryeministrit Berisha.

“Gjykata u vu në dyshim nga dy ankesa të paraqitura veçmas nga Partia Demokratike Shqiptare dhe 28 deputetë të tjerë të rreshtuar me ish-kryeministrin e qendrës së djathtë Sali Berisha. Ankesa e pranuar pretendon se marrëveshja bie ndesh me Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare të cilave Shqipëria aderon. Kjo do të thotë se ratifikimi parlamentar i marrëveshjes pezullohet derisa Gjykata të nxjerrë një vendim, për të cilin ka 3 muaj kohë. Ankesa është caktuar të shqyrtohet më 18 janar 2024.”, shkruan gazeta.

Në shkrim nënvizohet fakti se në Bruksel, ditën e sotme po ashtu u publikua letra drejtuar krerëve të BE-së nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për gjendjen e zbatimit të planeve të migracionit, ndërsa një pasazh i referohej pikërisht marrëveshjes Romë-Tiranë:

“Kemi parë nisma të rëndësishme të drejtuara nga shtetet anëtare, siç është marrëveshja operacionale mes Italisë dhe Shqipërisë. Ai përbën një shembull të të menduarit jashtë kornizës, bazuar në ndarjen e drejtë të përgjegjësive me vendet e treta në përputhje me detyrimet sipas ligjit ndërkombëtar dhe të BE-së”, thuhej në të.

“La Stampa”, po ashtu thekson faktin se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese erdhi pas dy ankesave të paraqitura veçmas nga Partia Demokratike Shqiptare dhe 28 deputetë të tjerë të rreshtuar përkrah ish-kryeministrit të qendrës së djathtë Sali Berisha.

“Apeli pretendon se marrëveshja është në kundërshtim me Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare të cilave Shqipëria aderon. Kjo do të thotë se ratifikimi parlamentar i marrëveshjes pezullohet derisa gjykata të nxjerrë një vendim, për të cilin ka 3 muaj.”, shkruan më tej gazeta italiane.

Këtë vendim, La Stampa e quan si një “dush të ftohtë”, për qeverinë Meloni, pikërisht në ditën kur kryeministri mori mbështetjen e plotë nga presidentja e Komisionit Evropian von der Leyen.

Për von der Leyen, “ne duhet të punojmë së bashku për të ruajtur vrullin e krijuar nga Konferenca Ndërkombëtare për Zhvillimin dhe Migracionin në korrik dhe të vazhdojmë këtë punë përmes procesit të Romës, duke eksploruar forma të ndryshme bashkëpunimi me vendet partnere mbi bazën e interesit të ndërsjellë”.

Edhe “Corriere della Sera”, ka pasqyruar në faqen e saj të parë lajmin e se Gjykata Kushtetuese pezulloi ratifikimin e marrëveshjes Meloni-Rama për emigrantët.

“Gjykata u thirr për të shqyrtuar dy ankesat e paraqitura veçmas nga Partia Demokratike Shqiptare dhe nga 28 deputetë të tjerë të rreshtuar përkrah ish-kryeministrit të qendrës së djathtë Sali Berisha, në të cilat pretendohet se marrëveshja është në kundërshtim me Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare për të cilat Shqipëria bashkohet . Kjo do të thotë se ratifikimi parlamentar i marrëveshjes pezullohet derisa gjykata të nxjerrë një vendim, për të cilin ka 3 muaj”, shkruan ajo në artikullin e saj.


Shtuar 13.12.2023 21:14