Gjiknuri “kërcënon” Metën: Kujdes, mos i shiko vlonjatët si mish për top!

“Unë i bëj thirrje Presidentit të mos i ngacmojë qytetarët vlonjat. Mos i shiko vlonjatët si mish për top, mos i shiko si një fuçi baruti që dikush do ti hedhi shkrepsen dhe ata do të dalin…”

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës , Damian Gjiknuri, i është përgjigjur Presidentit Meta për deklaratat e këtij të fundit nga Vlora në lidhje pezullimin e punës së kontrollorëve të AlbControll dhe ironisë me aeroportin e Vlorës.

Gjiknuri shprehet se presidenti i ka shpeshtuar vizitat në Vlorë kohët e fundit, por mos t’i konsiderojë vlonjatët si fuci baruti që presidenti të hedhë shkrepsen dhe qytetarët të ndizen.

Deklarata e Gjiknurit:

Presidenti i Republikës, siç duket nga halli që nuk po gjen dot veten LSI në Vlorë, po i shpeshton vizitat e tij, ditën dhe natën. E di vet ai shumë mirë me kë takohet. Edhe ne e dimë shumë mirë. Më vjen keq sepse unë kam respekt për institucionin e Presidentit dhe nuk mund të ulet deri në këtë nivel për të kërkuar vota. Vlonjatët tashmë e kanë bërë zgjedhjen e tyre.

Sa për aeroportin, Presidenti si një qytetar i lirë nesër do ketë mundësi të zbresë në aeroportin e ri të Vlorës. Them si qytetar i lirë sepse atëherë nuk do të jetë më President. Përsa i përket deklaratave të tjera, unë i bëj thirrje Presidentit të mos i ngacmojë qytetarët vlonjat. Mos i shiko vlonjatët si mish për top, mos i shiko si një fuçi baruti që dikush do ti hedhi shkrepsen dhe ata do të dalin.

Ai mendon se vlonjatët janë njerëz të ashpër dhe mezi presin të bëjnë ndonjë rrëmujë. Vlonjatët në fakt janë njerëz që duan qetësi, duan qytetari. Edhe po të shikoni fushatën ne nuk shajmë njëri-tjetrin, ne kemi një klimë të qetë dhe nuk na duhen këta që vijnë nga Tirana dhe hedhin zjarr këtu sepse nuk kemi nevojë. Presidenti le të gjejë veten e tij. Kur të jetë si qytetar i lirë pastaj le të vijë të hajë dhe një drekë Kuzbaba. Pas zgjedhjeve le të vijë në Kuzumbaba tek miku i tij Çim Selami, se dikur e ka patur mik dhe do ti ofroj një drekë aty. /albeu.com/