Gjermania ka shumë mundësi që të mbajë dy centrale bërthamore në funksion edhe në çerekun e parë të vitit 2023, ka thënë ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck. Ai e ka quajtur një vendim të tillë si të “nevojshëm”, duke thënë se bisedimet me operatorëve e dy centraleve -Isar 2 dhe Neckarwestheim – kanë përfunduar, dhe çështjet kyçe janë adresuar.
Gjermania pati planifikuar që të ndalë të gjitha centralet bërthamore në fund të këtij viti, mirëpo lufta në Ukrainë ka rritur shqetësimet se shtetit do t’i duhet të shfrytëzojë të gjitha burimet e energjisë për të kaluar dimrin. Habeck ka bërë të ditur edhe më herët gjatë këtij muaji se Gjermania synon të mbajë aktive dy centrale bërthamore deri në prill, në rast nevoje.
Megjithatë, atëherë ai pati thënë se centralet do të çaktivizohen nga rrjeti elektrik dhe ato do të jenë rezervë. Të martën Habeck e ka konfirmuar vazhdimin e punës së centraleve, duke e përmendur edhe situatën e sigurisë në Francën fqinje. Më shumë se gjysma e centraleve bërthamore në Francë aktualisht nuk janë të kyçura në rrjet.
Kjo situatë ka çuar në mungesa të energjisë, por Gjermania ka ofruar ndihmë përmes kompensimit të energjisë së prodhuar nga centralet me gaz, ka thënë Habeck.
“Nëse nuk ndryshon situata, dy centralet bërthamore do të jenë aktive edhe në çerekun e parë të vitit 2022”, ka thënë Habeck.
Perëndimi e ka ndëshkuar Rusinë me sanksione të ashpra për shkak të luftës së nisur në Ukrainë. Për pasojë, Rusia e ka zvogëluar sasinë e gazit që çon në Evropë, duke rritur shqetësimet për dimër të vështirë. Para shpërthimit të luftës, Bashkimi Evropian ka siguruar nga Rusia 40 për qind të gazit që përdor brenda një viti. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Marrë nga REL