Gjermania parashikon mbikapacitet në terminalet e gazit LNG

Gjermania po krijon mundësi të reja importi për të zëvendësuar gazin rus. Por sipas informacioneve pritet që kapacitetet të jenë më të mëdha se nevoja.

Me gaz natyror të lëngshëm (LNG), qeveria gjermane dëshiron të sigurojë furnizimin me gaz të Gjermanisë – sa më shpejt që të jetë e mundur. Që këtë vit, tre terminale LNG do të lidhen me rrjetin në bregdetin gjerman dhe tetë të tjerë pritet të pasojnë.

Ministria gjermane e Ekonomisë me sa duket pret një mbikapacitet të konsiderueshëm për terminalet e planifikuara të gazit të lëngshëm, të njohura si terminale LNG. Shërbimi i medias digjitale “Table Media” shkruan se kapaciteti i të gjitha terminaleve lundruese dhe tokësore mund të kapërcejë sasitë e gazit të importuar nga Rusia në vitin 2021.

“Table Media” i referohet një raporti të Ministrisë së Ekonomisë. Sipas këtij raporti, janë planifikuar dhjetë terminale lundrues në Detin e Veriut dhe në Detin Baltik, gjashtë prej të cilëve me pjesëmarrjen e shtetit.
Sipas këtij dokumenti, vetëm këta terminale lundrues do të kishin një kapacitet prej 53 deri në 67 miliardë metra kub gaz në vit nga viti 2024. Përveç kësaj,deri në vitin 2026 duhet të ndërtohen tre terminale në tokë, me një kapacitet deri në 50 miliardë kub metra gaz. Tre terminalet fikse LNG do të ngrihen në Wilhelmshaven, Brunsbüttel dhe Stade. Vitin e kaluar, nga ana tjetër, nga Rusia në Gjermani u importuan me tubacion vetëm 54 miliardë metra kub gaz.

“Ofrohet një marzh sigurie”

Ministria Federale e Ekonomisë ka deklaruar se është parashikuar një marzh sigurie për projektet e LNG. Për disa projekte, mundësitë e realizimit janë ende të pasigurta. Komisioni i Buxhetit ka bllokuar fondet për një terminal të gjashtë me pjesëmarrje shtetërore, për shkak të mbikapacitetit të mundshëm.

Deputeti i gjelbër Kindler kohët e fundit kishte paralajmëruar kundër mbikapacitetit. Duhet të ketë më shumë qartësi për kostot dhe rreziqet e projekteve të LNG-së, shpjegoi ai.

LNG-ja luan një rol kyç në përpjekjet e qeverisë federale për të zëvendësuar furnizimet me gaz nga Rusia./dw/


Shtuar 16.12.2022 08:24