Gjermania kërkon “larje hesapesh” me Italinë, e padit për kompensimet e Luftës së Dytë Botërore

Teksa Lufta e Dytë Botërore ka më shumë se gjysmë shekulli që ka përfunduar, duket se hesapet mes vendeve pjesëmarrëse ende nuk janë larë.

Këtë herë është Gjermania, shkaktarja e luftës që ngre pretendime në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke paditur aleaten e vet në kohën e luftës; Italinë.

Në një parashtresë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), Gjermania thotë se Italia vazhdon të lejojë çështje gjyqësore që lidhen me vitet e luftës në gjykatat e saj të brendshme pavarësisht një vendimi të vitit 2012 se pretendime të tilla ishin të papranueshme.

Padia thotë se, që nga ai vendim, mbi 25 raste të reja janë depozituar në Itali dhe në disa prej tyre, gjykatat kanë vendosur që Gjermania duhet të paguajë kompensim.

Berlini thotë se po e paraqet ankesën tani për shkak të dy rasteve në gjykim ku kërcënohet edhe sekuestrimi i pronave të shtetit gjerman në Romë në formë kompensimi për pagesat, që Berlini pas 2012 refuzon t’i kryejë.

Një gjykatë në Itali thotë se do të vendosë deri më 25 maj nëse do të detyrojë shitjen e disa ndërtesave, disa prej të cilave strehojnë institucione kulturore, historike dhe arsimore gjermane.

Mosmarrëveshja daton në vitin 2008, kur gjykata më e lartë e Italisë vendosi që Gjermania duhet të paguajë rreth 1 milion € për të afërmit e nëntë personave që ishin në mesin e 203 të vrarëve nga forcat gjermane në Toskanë në 1944.

Gjermania argumenton se tashmë ka paguar miliarda euro për vendet e prekura nga Lufta e Dytë Botërore që nga përfundimi i konfliktit në 1945.

Regjistrimi i padisë gjermane citon një pjesë të vendimit të vitit 2012 që thotë se, duke lejuar pretendimet në gjykatat e saj, Italia kishte “shkelur detyrimin e saj për të respektuar imunitetin që Republika Federale e Gjermanisë gëzon sipas ligjit ndërkombëtar”.

Mund të duhen vite që Gjykata Ndërkombëtare të nxjerrë vendime, por Gjermania i ka kërkuar gjykatës të marrë masa për të ndaluar Italinë të nxjerrë në ankand çdo pronë, ndërsa çështja është duke u shqyrtuar.

GJND-ja, me seli në Hagë, Holandë, është organi kryesor gjyqësor i OKB-së, me një nga rolet e saj kryesore që është zgjidhja e mosmarrëveshjeve ligjore ndërmjet shteteve.