Trafikantët shqiptarë që operojnë në Ekuador kanë lidhje të ngushta me mafien italiane, Ndrageta e Gomorra me të cilët bashkëpunojnë për transportin ndërkombëtar të kokainës drejt Evropës Qendrore dhe Lindore.
Për çdo ngarkesë e cila niset nga portet e Guajakil ato paguajnë 20% të shumës te eksponentët e mafies italiane.
Kjo e fundit ka lidhje të ngushta me tre grupet më të njohura në Ekuador, Los Lagartos, Los Choneros dhe Los Tiguerones, të cilat zotërojnë dhe infrastrukturën e duhur që lidhin shqiptarët me trafikun e kokainës. Mos akordimi i pagesave, shpesh herë ka sjellë dhe eliminime fizike.
Ndërkaq, lufta për territor, sipas prokurorit të rrethit të Guajakil, ka sjellë dhe ekzekutime mes vetë shqiptarëve brenda familjes, duke i hapur rrugë “Gjeneratës së Re”.
Ekuadori është kthyer në vendin kryesor të origjinës për dërgesat e kokainës që mbërrijnë në Evropë. Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, UNODC, mbështetur në konfiskimet e lëndës narkotike të bërë nga autoritetet doganore në secilin shtet të kontinentit të vjetër, renditi Ekuadorin në vendin e parë, duke kaluar edhe Brazilin.
Dokumenti specifikon 15 shtetet kryesore nga të cilat kokaina u dërgua në Evropë, ndërsa në vitin 2021, autoritetet në këtë kontinent kapën 184 tonë drogë. Krahas Ekuadorit, ngarkesat të mëdha mbërrijnë në Evropë edhe nga Brazili, Panamaja, Argjentina, Paraguai e Kolumbia.
Bazuar në raportet e autoriteteve doganore, dërguar Organizatës Botërore të Doganave dhe Zyrës Rajonale të Inteligjencës për Evropën Perëndimore, UNODC thotë se “nga 14% e kokainës që mbërriti në Evropë në vitin 2018 nga Ekuadori, ky tregues shkoi në 29% dhe 28% në 2020 dhe 2021, respektivisht”. Fluksi në rritje i këtyre dërgesave përforcohet edhe nga kapja e sasive të konsiderueshme nga autoritetet në Ekuador: “Përqindja e kokainës së destinuar për në Evropë u rrit nga 9% në 2019 në 33% në 2021, duke u rritur në më shumë se 50% ku numërohen vetëm rastet kur dihej pikëmbërritja e mallit të sekuestruar”.
Destinacionet kryesore pritëse janë porti Antwerp në Belgjikë, i Rotterdamit në Holandë, Hamburgut në Gjermani, Gioia Tauro në Itali dhe ai i Valencias e Barcelonës në Spanjë. Prej tyre ndodh dhe shpërndarja në vendet e tjera evropiane apo në Ballkan, ku një rol të rëndësishëm kanë dhe grupet shqiptare të trafikut të kokainës.
Këto të fundit, sipas analizës së Europol, janë fuqizuar ndjeshëm. Nga ofrues shërbimi shqiptarët janë kthyer në kontrollues të linjës së trafikut nga fillimi në fund (end-to-end), shpesh herë “duke bashkëpunuar edhe me grupe të tjera rajonale kriminale, përfshi dhe ato Serbe dhe Malazeze, të cilat janë aktive në nivelin më të lartë të trafikut transatlantik të kokainës”. Ky fakt u konstatua dhe në operacionin “Los Blancos” i shtrirë në 10 shtete dhe që solli në goditjen e grupit shqiptar “Kompania Bello”, i drejtuar nga Dritan Rexhepi, ndërsa ndodhej në burg. Në këtë aksion Europol dhe Eurojust arrestoi 20 anëtarë, 5 nga të cilët në Shqipëri, ndërsa anëtarët e tjerë u ndaluan në Itali, Gjermani, Greqi, Dubai, Spanjë e Hungari. Gjatë këtij operacioni u sekuestruan 4 tonë kokainë dhe një shumë prej 5.5 milionë eurosh kesh.
Shqiptarët e Ekuadorit
Viti 2019 shënon numrin më të lartë të hyrjes së shqiptarëve në Ekuador me plot 193 shtetas, nga të cilët mbi 20% e tyre janë të skeduar zyrtarisht nga autoritetet vendase si persona me precedent penal. MediaLook disponon regjistrin statistikor e hyrje-daljeve për 10 vite të shtetasve të huaj vënë në dispozicion nga autoritet policore në Ekuador. “Nga personat që kanë hyrë në territorin tonë përgjatë viteve 2019-2021 në radhët e shqiptarëve, ne kemi identifikuar 20% të tyre pasi kemi mbledhur informacione nga partnerët në Evropë.
Ata rezultojnë të merren me aktivitete të paligjshme, janë eksponentë të krimit”, – shprehet Kolonel i intervistuar Eri Tenitis, ndërsa shton se “nga hetimet e zhvilluara në Ekuador rezulton se këto persona nuk kanë një situatë normale dhe as dokumente të ligjshme”.
Nga ana tjetër, prokurori i Rrethi të Guajakilit, Cesar Pena, i cili ka hetuar një sërë rastesh të trafikut ndërkombëtar të kokainës pohon gjatë intervistës se nga gjithë “shqiptarët që hynin në vend, ata që jetonin në Guajakil dyshoheshin për trafik droge”, pasi aty ndodhte dhe nisja e mallit për në portet evropiane.
Regjistri i hyrje-daljeve të shtetasve shqiptarë tregon për flukse të shpeshta dhe dinamike të lëvizjeve të tyre. Vërehet se, përgjatë viteve numri hyrjeve është i përafërt me ato të daljeve, çka tregon se qëndrimet e shqiptarëve atje, veçanërisht ata që merren me trafikun e drogës, nuk qëndrojnë për një periudhë të gjatë. Kolonel Tenitis thekson se ata vijnë, koordinojnë dërgesa, por nuk formojnë grupe trafiku me bashkëkombës: “Shqiptarët vijnë për të koordinuar dërgesat e drogës për në Evropë. Ata vijnë me mjaft para, kontraktojnë persona nga Ekuadori, madje dhe kilianë apo qytetarë të huaj, jo bashkëkombës, të cilët i ndihmojnë të fusin mallin nga Kolumbia në Ekuador, në zonën e Guajakil apo në provincën e Uruguajas dhe më pas kërkojnë linjën e daljes nëpërmjet porteve detare”
Por pavarësisht këtyre të dhënave zyrtare, krerët e lartë të policisë dhe prokurorisë në Ekuador pohojnë se, numri i shqiptarëve që hyjnë dhe operojnë në territor ka qenë shumë më i lartë, pasi një pjesë e konsiderueshme e tyre mbërrijnë me identitet tjetër. “Shumë persona hyjnë në shtetin tonë me identitet të dyfishtë duke thënë se janë nga shtete të tjera, krahas Shqipërisë, pasi eksponentët ndiqen edhe nga Interpoli. Ata ndryshojnë identitetin dhe më pas veprojnë këtu në Guajakil”, – tregon prokurori Pena.
Rasti më domethënës për nga rëndësia ishte operacioni “Ballkani”, në të cilën u goditën krerët e grupit të parë shqiptar në vitin 2014, që u akuzua se ruante sasi të mëdha droge në Guajakil për t’i dërguar ato në Evropë. “Rastësisht, në muajin nëntor, u ndalua organizata e parë shqiptare ku u kap një sasi prej tre tonelatash kokainë, në një vendbanim në qytetin Duran afër Guajakil”, – deklaroi prokurori Pena.
Mes 11 të ndaluarve ishin dhe drejtuesit e grupit, shtetasi i Kosovës Remzi Azemi dhe shqiptari Dritan Rexhepi. Ky i fundit sipas autoriteteve policore kishte dy identitete, një si shtetas grek me emrin Ioannis Dionysopoulos dhe një si shtetas shqiptar me emrin Lulëzim Murataj. Madje në burg ai ka firmosur disa herë me identitetin e Lulëzim Muarataj.
Por ndërsa Azemi i shpëtoi akuzave dhe u largua një muaj pasi u arrestua në Ekuador, Dritan Rexhepi u dënua. Sipas të dhënave zyrtare, deri në vitin 2020 në burgjet e Ekuadorit kishte vetëm katër të burgosur nga Ballkani: një shqiptar dhe tre serbë. Shqiptari i vetëm në Guajakil ishte Rexhepi, i cili aktualisht ka fituar lirinë.
Ndonëse të dhënat në regjistër tregojnë fluksin e shqiptarëve nga viti 2010, hetuesit pohojnë se prania e tyre në vend nis më herët. Shqiptari Arbër Çekaj regjistroi hyrjen e tij të parë në Ekuador në vitin 2009. Ai u prezantua si tregtar bananesh, vizitoi Ekuadorin deri në vitin 2015, vit në të cilin u thirr në gjyq për trafik droge në Peru. Por ai udhëtoi drejt Ekuadorit, pavarësisht procedimit penal, derisa u arrestua në vitin 2018, në Gjermani, për futjen e ngarkesës më të madhe të kokainës në Shqipëri, plot 613 kg kokainë.
Rasti Çekaj nuk ishte i vetmi. Pjesa dërrmuese e trafikantëve të rëndësishëm shqiptarë në Ekuador janë prezantuar si biznesmenë. “Adratik Tresa shfaqej si tregtar i thjeshtë, por ne e kishim hetuar se cilat ishin aktivitetet e paligjshme me të cilat merrej”, – tregon prokurori, Cesar Pena. Sipas tij, “edhe Remzi Azemi ishte në të njëjtin rol. Ai kalonte pothuajse gjithë ditën në palestër dhe ishte një tregtar-investitor i kamufluar në shtetin tonë. Rasti Kaçaniç po ashtu”, pohon z. Pena.
Trafikantët-biznesmenë të Ekuadorit kanë arritur të penetrojnë deri në nivelet më të larta të institucioneve Ekuadoriane. Investitori Dritan Gjika ishte një prej tyre, i përmendur në skandalin e presidentit Guillermo Lasso. Të dhënat treguan se Ruben Cherrez një 63 vjeçar mik i kunatit të presidentit Lasso ishte si bashkëpunëtor i ngushte me shqiptarin Gjika. Të dy ata themeluan tetë kompani ndërtimi në një ditë të vetme. Lidhja e Cherres dhe Gjikës daton që prej vitit 2014 me një sërë biznesesh të përbashkëta. Në pjesën dërrmuese të rasteve ato rezultuan kompani fantazma të cilat nuk kryen asnjëherë pagesa tatimore.
Por veç kompanive që zotëronte me Cherres, Dritan Gjika ishte pronar i vetëm dhe në kompani të tjera. Ai rezulton me pasaportë Ekuadorianë që prej vitit 2013 dhe jeton në Guajakil. Në vitin 2014 ai blen aksionet në Cresmark, me objekt eksportin e të gjitha llojeve të produkteve bujqësore, përfshi bananet.
Në vitin 2017, shoqëria anonime Impex Fruit Five Hundred Six nga Kosta Rika themeloi në Ekuador shoqërinë Agricomtrade, me objekt eksportet e bananeve. Gjatë kësaj periudhe kjo kompani ka kryer dërgesa me banane dhe për kompaninë shqiptare të importit Alba Exotic Fruit sh.p.k, me administrator Eduard Dauti. Një vit më vonë Gjika blen gjithë aksionet e kompanisë Agricomtrade.
Pas kësaj periudhe Alba Exotic Fruit sh.p.k rezulton një kompani e përmendur në disa raste të trafikut të drogës, fillimisht të një sasie prej 137 kg kokainë brenda kontejnerëve të kapur në portin e Pireut në Greqi, më pas në gjashtë raste të tjera në vitin 2021, me sasi kokaine të ndaluara në Portin e Durrësit. Pas hetimeve, administrator i Alba Exotic Fruit sh.p.k u arrestua në vitin 2022.
Trafikantet e “Gjeneratës së re”, roli i shqiptarëve në trafikun nga Amerika Latine drejt Evropës
Kontrolli i territorit për transportin e kokainës nga Guajakili drejt porteve kryesore të Evropës solli përplasje të trafikantëve shqiptarë në Ekuador. Prokuroi Cesar Penja tregon se konfliktet mes shqiptarëve kanë qenë të shumta edhe brenda familjeve: “Rasti i shqiptarëve që unë kam hetuar, pjesëtarë të të njëjtës familje, po vriteshin midis tyre. Kemi rastin e Ilir Hidrit, i dyshuari kryesor i vrasjes së tij është nipi Remzi Azemi.
Rasti i Kaçaniç, kushëriri i tij Adriatik Tresa ishte i dyshuar për vrasjen e tij dhe njëkohësisht, një nga të dyshuarit për vrasjen e Ilir Hidrit, këtu në Guajakil”, – shprehet prokurori. Sipas Penjas, konkluzioni i hetimeve që po zhvilloheshin në një nga vendnisjet kryesore të tonelatave me drogë, nga Guajakili, ishte se shqiptarët “po vriteshin midis tyre”.
Me ekzekutimin e Tresës nga persona të veshur me uniform policie, më 20 nëntor të vitit 2020, në brendësi të qytetit Daule, rihapet lufta për kontrollin e territorit. “Nga momenti i vrasjes së një lideri, nis lufta e territorit. Cili territor? Në këtë rast për linjë e transportit të drogës nga portet e Ekuadorit drejt Evropës, konkretisht vendet e ulta por dhe Italia e Greqia.” – tregon prokuroi Penja.
Aktualisht, policia dhe prokuroria në Ekuador, në bashkëpunim dhe me informacionet që vijnë nga Interpoli, kanë hetuar dhe identifikuar një grup dhe eksponentë të mafies Shqiptare, me lidhje shumë të forta me kartelet meksikane dhe mafien italiane që operon në Amerikën Latine. “Ishte një grup specifik, që kemi qenë duke e zbërthyer, por e dimë që vijon e vepron që quhet “Gjenerata e Re”. Me inicialet e tyre, në gjuhën e tyre, po vepronin këtu në Ekuador”, – pohon përfaqësuesi i Prokurorisë së Guajakil, i cili shton se “çdo herë e më shumë kanë marrë dëshmi të reja për personat që veprojnë, kur evidentohen në porte apo aeroporte, në provincën tonë, ku ata janë të përqendruar”.
Nga ana tjetër, kolonel Tenitis tregon se, nga rastet e mëparshme janë të paktën tre mënyra sesi trafikantët e ngarkojnë dërgesën e tyre drejt Evropës: “E para, është duke përdorur biznese fasadë, dhe, në këtë rast, ngarkimi bëhet aty ku ndodhet produkti, kryesisht banane ose dru. Mënyra e dytë është “Grepi i verbër”, duke kontraktuar persona që punojnë në port që mbushin kontejnerët. E treta, nëpërmjet detit kur anija është në karantinë, tashmë në ujë”.
Hetuesi britanik Tony Saggers, me një fushë të gjatë ekspertize në grupet kriminale dhe trafikun e drogës, në raportin e përpiluar posaçërisht për grupet ndërkombëtare të trafikut të drogës nga eksponentë shqipfolës, duke cituar burime të Europolit thekson se tashmë shqiptarët nuk kujdesen vetëm për nisjen e dërgesës por dhe për mbërritjen dhe shpërndarjen e mallit në portet pritëse.
“Dominanca e grupeve me trafikantë shqipfolës në vendet e Bashkimit Europian dhe statusi i tyre për dërgesa të sasive të mëdha të drogës është më shumë një fenomen i viteve të fundit, i cili vijon të rritet dhe të zhvillohet më tej”, – shkruan Saggers.
Në të njëjtin konkluzion arrijnë dhe autoritetet italiane. Në raportin vjetor për vitin 2022 të Shërbimeve të Antidrogës Italiane nënvizohet fakti se, grupet shqiptare që marrin përsipër dërgesën dhe shpërndarjen e kokainës në Evropë, kanë lidhje të ngushte dhe me mafien italiane, kryesisht atë kalabreze dhe siciliane. “Organizatat shqiptare janë partner të besueshëm në rrjetin kriminal të trafikut të drogës, veçanërisht për aftësinë e tyre për të lëvizur sasi të mëdha kokaine dhe heroine në Evropë, duke marrë përsipër çdo fazë të zinxhirit të shpërndarjes, nga marrja e lëndës në portet holandeze dhe belge, transportin me mjete të modifikuara për këtë qëllim dhe më pas shitjen, përfshi territorin Italian, – thuhen në dokument. Madje këto grupe “bëjnë biznese, si ndërmjetës të besueshëm, të mafies kalabreze, kempane dhe siciliane”, – nënvizon shërbimi i antidrogës italiane.
Eksperti britanik Tony Saggers evidenton Holandën si portën kryesore tranzit të kokainës dhe bazën e shpërndarjes nga shqiptarët, ndërsa nënvizon se, mes vendeve të BE-së dërgesat në Britaninë e Madhe janë më të mëdhatë. Hetuesi argumenton se, për shkak të këtij fluksi ka dhe një rënie të çmimit të kokainës nga 50 000 €/kg në 2013 në 33 000 €/kg në 2017, ose 35% më lirë.
Nga ana tjetër, gazetari John Hand i “Irish Mirror”, në një artikull të publikuar një vit më parë shkruante se, një pjesë e ngarkesave që hynte në Britani, kontrollohej nga karteli i fuqishëm irlandez Kinahan, e cila kontraktonte dhe emisarë nga Serbia dhe Shqipëria.
Përfshirja e shqiptarëve në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt Evropës, si bashkëpunëtorë kryesisht me mafien italiane por dhe kartele të tjera të fuqishme rajonale, ka sjellë që një pjesë e mirë të miliona eurove që përftohen nga aktiviteti kriminal ta fusin ilegalisht dhe në Shqipëri.
“Shpesh herë të ardhurat nga kokaina dhe aktivitete të tjera të paligjshme, investohen në prona dhe projekte ndërtimi në Shqipëri si dhe përdoren për të financuar korrupsionin”, – nënvizon ndër të tjera Saggers në raportin e tij.
Në maj të vitit 2023, monedha euro pësoi rënien më të madhe historike në 21 vitet e fundit, duke iu afruar 110 lekëve. Por ndërsa sektori i biznesit dhe ekspertët drejtonin gishtin te paraja informale dhe fluksi i euros që qarkullonte në vend, Banka e Shqipërisë pohoi zyrtarisht se rënia e monedhës evropiane është “shenjë e progresit të bërë nga ekonomia shqiptare”./MediaLooK