Biznesmeni rus Ivan Pechorin, menaxheri kryesor i Korporatës për Zhvillimin e Lindjes së Largët dhe Arktikut, është gjetur i vdekur në Vladivostok.
“Më 12 shtator 2022, u bë e ditur për vdekjen tragjike të kolegut tonë, Ivan Pechorin, Drejtor Menaxhues për Industrinë e Aviacionit të Korporatës për Zhvillimin e Lindjes së Largët dhe Arktikut”, thuhet në një deklaratë nga kompania e publikuar të hënën.
“Vdekja e Ivan është një humbje e madhe për miqtë dhe kolegët, një humbje e madhe për korporatën. Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjen dhe miqtë”, thuhet më tej.
Sipas medias shtetërore ruse RIA Novosti, administrata e Vladivostok tha se trupi u gjet pranë fshatit Beregovoe. Pechorin u mbyt më 10 shtator pranë Kepit Ignatyev në Vladivostok, raportojnë mediat rajonale.
Pechorin është biznesmeni i 9-të i njohur rusë që raportohet se ka vdekur nga vetëvrasja ose në aksidente të pashpjegueshme që nga fundi i janarit, me gjashtë prej tyre që lidhen me dy kompanitë më të mëdha të energjisë ruse.
Katër nga gjashtë biznesmenët e vdekur ishin të lidhur me gjigantin energjetik shtetëror rus Gazprom ose një nga filialet e tij, ndërsa dy të tjerët me Lukoil, kompania më e madhe private ruse e naftës dhe gazit.
Në fillim të këtij viti, kompania mbajti qëndrimin e pazakontë publik duke folur kundër luftës së Rusisë në Ukrainë, duke shprehur keqardhje për viktimat.
Kryetari i Lukoil, Ravil Maganov vdiq në fillim të shtatorit pasi ra nga dritarja e një spitali në Moskë, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.