Të paktën gjashtë njerëz janë vrarë dhe 37 të tjerë janë plagosur të shtunën nga një sulm rus me raketë në qendër të qytetit Çernihiv, në veri të Ukrainës, tha Ministria e Brendshme e Ukrainës (MBU).
Njerëzit ishin duke shkuar në kishë për ta kremtuar një festë fetare kur ndodhi sulmi, sipas MBU-së, e cila shtoi se në mesin e të plagosurve janë 11 fëmijë.
“Një raketë ruse ra mu në qendër të qytetit, në Çernihivin tonë. Një shesh, një universitet politeknik, një teatër”, shkroi në Telegram presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili është në një vizitë pune në Suedi.
“Kjo tregon çfarë është një fqinjëri me shtet terrorist, kjo është ajo kundër të cilës ne po e bashkojmë botën”, tha Zelensky.
“Një e shtune e zakonshme, të cilën Rusia e shndërroi në një ditë të dhimbjes dhe humbjes”, shtoi ai.
Një video e shkurtër e postuar nga Zelensky shfaqi copëzat e shpërndara nëpër shesh përballë një teatri rajonal të dramës, ku u dëmtuan rëndë veturat e parkuara. Një trup i pajetë u pa aty, po ashtu.
Rusia i ka sulmuar qytetet ukrainase larg nga vija e frontit me raketa dhe me dronë, qëkur e ka nisur pushtimin në shkurt të vitit 2022.
Sulmi në Çernihiv ishte mbase “një raketë balistike”, tha guvernatori rajonal Vyacheslav Chaus, në Telegram.