Gëzim i dyfishtë/ Dijonis Biba fiton shumën marramendëse nga basti për fitoren e Shqipërisë ndaj Serbisë

Fituesi i “Ferma VIP”, Dijonis Biba, është bërë sërish pjesë e lajmeve, këtë herë për një arsye krejt tjetër nga televizioni.

Ai ka përfituar një shumë të madhe parash falë një basti të vendosur për fitoren e Kombëtares Shqiptare ndaj Serbisë.

Mbrëmjen e ndeshjes, Biba publikoi në InstaStory një skedinë ku shihej basti prej 10 mijë eurosh për triumfin e kuqezinjve në Leskovc.

Me humor ai shkroi: “Kush e ka fut këtë biletë, more?” — por shuma e madhe e vënë në lojë tërhoqi menjëherë vëmendjen e medieve dhe ndjekësve.

Rezultati historik 0-1 për Shqipërinë, që solli tri pikë të arta dhe konsolidimin e vendit të dytë në grup, e shndërroi bastin e tij në fitimtar.

Falë koeficientit të lartë, Dijonis Biba ka përfituar rreth 55,500 euro, duke e kthyer parashikimin e tij të guximshëm në një sukses të madh financiar.

Kjo “fitore e dyfishtë”, e Kombëtares dhe e Bibës, e ka bërë ish-konkurrentin e “Ferma VIP” një nga personazhet që e ka shijuar më shumë triumfin e kuqezinjve.

Megjithatë, vlen të kujtohet se bastet sportive mbeten të ndaluara në Shqipëri, dhe nëse loja është kryer brenda vendit, mund të ngrejë edhe çështje ligjore, përveçse një tjetër valë kurioziteti në rrjete sociale.


Shtuar 13.10.2025 11:58