“Gërdeci”, Mediu kërkesë për seancë maratonë: Të pyeten zyrtarë të SHBA e NATO-s

Sot zhvillohet  seanca gjyqësore në GJKKO për ish-ministrin e Mjedisit, Fatmir Mediu për dosjen “Gërdeci”.

Mësohet se Mediu ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme pyetjen e 90 dëshmitarëve për llogari të procesit ndaj tij në këtë gjykatë.

Mes tyre zyrtarë të lartë të mbrojtjes së DASH dhe qeverive, gjeneralë të NATO dhe ish-ministrat e Mbrojtjes së qeverisë shqiptare.

Këta zyrtarë të lartë kanë qenë në pozicione kyçe kur ka ndodhur tragjedia e Gërdecit. Mediu, në tentativa për të provuar pafajësinë e tij, parashtroi përmes mbrojtjes, kërkesën e tij, ndërkohë që Gjykata u tërhoq për vendim.

Kujtojmë se në seancën e fundit avokatët e ish-ministrit kërkuan heqjen dorë nga gjykimi i shkurtuar, por gjykata u shpreh se këtë kërkesë ka të drejtë ta bëjë vetëm i pandehuri.


Shtuar 8.09.2023 11:22