Gazment Bardhi denoncon: Rama vendos qeverinë në dispozicion të kompanive duke favorizuar ndërtimet pa leje

Deputeti i PD-së Gazment Bardhi akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se ka vendosur qeverinë në dispozicion të kompanisë së ndërtimit Kastrati, duke ndryshuar ligjin dhe duke i favorizuar ndërtimet pa leje.

“10 ditë pasi Bashkia e Tiranës detyrohet të mos e miratoi lejen e ndërtimit për shtimin e disa kateve, Edi Rama vendos Qeverinë në dispozicion të kompanisë ndërtuese “Kastrati” shpk, duke ndryshuar pikërisht nenin 17 të VKM, që pengonte Bashkinë e Tiranës në ligjërimin e 5 kateve që ishin ndërtuar pa leje, duke hequr kriterin që shtesa nuk mund të jetë më shumë se 2 %. Është VKM nr. 457/29 Qershor 2022.

Ky është rasti tipik i korrupsionit, që literatura e njeh si “kapje e shtetit” ose ndryshe përcaktimi i rregullave shtetërore sipas interesave klienteliste të një apo disa personave të identifikuar”, tha ndër të tjera Bardhi.

DEKLARATA E PLOTË

3304 shqiptarë janë dënuar me burg për ndërtim pa leje këto 5 vitet e fundit, edhe pse nuk kanë bërë si ndërtim as gradacela dhe as biznes. Secili prej qytetarëve të dënuar, ka rregulluar çatinë e shtëpisë së tij të rrënuar, ka rregulluar murin rrethues, ka rregulluar dhomën e gjumit të fëmijëve të tyre apo ka ndryshuar pllakat e dyshemesë së shtëpisë së tyre siç tha vetë Edi Rama disa ditë më parë. Por, pavarësisht se kanë qenë në majë të malit, në zona të thella apo të izoluara, ato nuk i kanë shpëtuar syrit të institucioneve.

Menjëherë u ka shkuar Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, bashkia, policia, prokuroria, dhe në fund ka hyrë në lojë edhe gjykata duke i dënuar.

Në seancën plenare të datës 14 Korrik, me këtë foto në dorë, iu drejtova Qeverisë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtuesit të SPAK, me pyetjen: “Pse është i ndryshëm pronari i këtij ndërtimi, nga 3304 qytetarët e tjerë që kanë shkuar në burg për ndërtime pa leje këto 5 vitet e fundit? Pse ligji nuk është i barabartë për 3304 qytetarët e dënuar për ndërtim pa leje dhe pronarin e këtij ndërtimi dhe dhjetëra ndërtimeve të tjera në mes të Tiranës ku kanë mbirë kate shtesë pa leje?

Përgjigjen e kësaj pyetje e dhashë po vetë në atë seancë ku theksova se 3304 qytetarët që janë dënuar për ndërtim pa leje këto 5 vjet nuk janë pjesë e oborrit të Kryeministrit, nuk ndajnë para më të, nuk kanë mbrojtjen e Kryeministrit. Nëse je pjesë e oborrit të Edi Ramës, nëse ndan para me të apo ministrat e tij, nëse ke mbrojtjen e tij, institucionet dhe drejtësia ulin kokën, mbyllin sytë dhe nuk shikojnë. Nëse je pjesë e oborrit të Kryeministrit mund të ndërtosh, jo një mur apo çati të shtëpisë tënde, por plot 5 kate pa leje, në mes të Tiranës, me vlerë tregu 30 miliona euro, dhe të gjitha institucionet ulin kokën, nuk shikojnë, nuk veprojmë, por përkundrazi përfshihen të gjitha në garë kush të shërbejë më parë për të fshehur shkeljen e ligjit.

Ky ndërtim që unë mora si shembull për të denoncuar fenomenin kriminal të ndërtimeve të paligjshme në kullat në mes të Tiranës ku kanë mbirë kate shtesë pa leje, rezultonte se kishte leje zhvillimi dhe ndërtimi për 37 kate mbi tokë dhe 5 kate nëntokë. Pasi ndërton 5 kate shtesë pa leje, Edi Rama i firmos, pa kryer asnjë verifikim apo pa marrë asnjë konfirmim nëse është respektuar apo jo leja e parë e zhvillimit, një leje të dytë zhvillimi për disa kate shtesë dhe urdhëron Bashkinë e Tiranës të miratojë lejen e ndërtimit për shtesë të disa kateve.

Bashkia e Tiranës që ishte njoftuar zyrtarisht prej meje për katet shtesë pa leje, por që prej 8 muajsh bën sikur nuk kupton dhe nuk vepron për të zbatuar ligjin, detyrohet të mos miratojë leje ndërtimi për kate shtesë, të cilat në fakt ishin ndërtuar, duke argumentuar se “ndryshimi i projektit të propozuar nuk është në përputhje me nenin 17 të Vendimit nr. 408/2015 të Këshillit të Ministrave, ku theksohet se nuk mund të shtohen më shumë se 2 % e sipërfaqes totale të ndërtimit.

10 ditë pasi Bashkia e Tiranës detyrohet të mos e miratoi lejen e ndërtimit për shtimin e disa kateve, Edi Rama vendos Qeverinë në dispozicion të kompanisë ndërtuese “Kastrati” shpk, duke ndryshuar pikërisht nenin 17 të VKM, që pengonte Bashkinë e Tiranës në ligjërimin e 5 kateve që ishin ndërtuar pa leje, duke hequr kriterin që shtesa nuk mund të jetë më shumë se 2 %. Është VKM nr. 457/29 Qershor 2022.

Ky është rasti tipik i korrupsionit, që literatura e njeh si “kapje e shtetit” ose ndryshe përcaktimi i rregullave shtetërore sipas interesave klienteliste të një apo disa personave të identifikuar.

Mirëpo, pas denoncimit të bërë në seancën plenare të datës 14 Korrik, vendimi i qeverisë i datës 29 Qershor, nuk ia zgjidhte dot më problemin ndërtuesve të gradacelave pa leje në Tiranë, sepse miratimi i një shtesë leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë kërkon paraprakisht verifikimin e ndërtimit për efekt të respektimit të lejes së parë, dhe nëse ndiqej procedura pas publikimit të pamjes së ndërtimit, rezultonte i provuar denoncimi i bërë që katet shtesë ishin shtuar paraprakisht dhe ky fakt ishte tashmë publik.

Pas denoncimit në Kuvend, në rrugë zyrtare informova përsëri me shkrim Kryeministrin, Prokurorin e Përgjithshëm; Ministrin e Brendshëm; Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit; Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit; Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë së Tiranës, duke i kërkuar informacion edhe për masat që kishin marrë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe institucioni në varësi të tij, IKMT, në kushtet e shpërdorimit të detyrës, kanë refuzuar jo vetëm të marrin masa për të zbatuar ligjin në rastin konkret, por kanë refuzuar edhe të dërgojnë informacionin zyrtar të kërkuar.

Prokurori i Përgjithshëm më ka kthyer përgjigje dhe e dini çfarë më thotë: Nuk kam dëgjuar gjë, nuk e ngre dot kokën të shoh paligjshmërinë e të numëroj katet pa leje në gradacelat e Tiranës, sepse nuk është puna ime. Pra praktikisht më konfirmon atë që unë paralajmërova paraprakisht, që nuk vepron dot pa lejen e Edi Ramës, nuk e ngre dot kokën të shoh paligjshmërinë e oligarkëve që Edi Rama i ka dhënë statusin “i paprekshëm”. Edhe pse në fakt unë kam bërë një kallëzim të një vepre penale, në prezencën e Prokurorit të Përgjithshëm dhe ai si zyrtar i shtetit, ka detyrimin ligjor që kallëzimin tim verbal përpara tij dhe informacionin e marrë për shkak të detyrës së tij shtetërore në seancën plenare të datës 14 korrik, ta referojë në prokurorinë kompetente për verifikim.

Ministri i Brendshëm, ekzaktësisht i njëjti që pozon me kamera e fotografë për propagandë përpara një pallati në Farkë, me kthen përgjigje dhe e dini çfarë thotë: Më duhen më shumë të dhëna që të kem mundësi ta gjej, sepse nuk e gjen dot se ku ndodhet kjo gradacelë në mes të Tiranës. Edhe ai bën sikur nuk ka dëgjuar, bën sikur nuk ka parë, sepse nuk vepron dot pa lejen e Edi Ramës, nuk zbaton dot ligjin për oligarkët që Edi Rama që i ka dhënë statusin “të paprekshëm”. I kam kthyer përgjigje zyrtare me shkrim, por një përgjigje po ia jap edhe publikisht: Mqs nuk e ke gjetur dot, mqs nuk e ke parë, ngrihu tani nga karrigia e zyrës tënde, dil në dritaren e zyrës, ngrije kokën dhe e ke përpara syve të tu.

Ndërkohë që Edi Rama, nuk kthen përgjigje, sepse si “shtetar” ai shprehet me akte, me vendime qeverie. Dhe përgjigjen e dha më datë 7 Shtator 2022, ku miratoi vendimin nr. 589, duke konfirmuar se milionerët, miq të tij, gëzojnë statusin “të paprekshëm” dhe janë të ndryshëm nga 3 milion shqiptarët e tjerë, që nuk janë pjesë e oborrit të interesave të tij financiare.

Këtë akt për favorizimin e oligarkëve apo milionerëve, miq të Edi Ramës, zyra e tij e propagandës e shiti si “luftë të paparë kundër milionerëve”. E vërteta është që akti provon që milionerët e Edi Ramës që kanë ndërtuar kulla pa leje në mes të Tiranës, janë të ndryshëm nga 3 milion shqiptarët e tjerë dhe vecanërisht janë të ndryshëm nga 3304 qytetarë që kanë shkuar në burg pse kanë rregulluar pa leje çatinë e shtëpisë së tyre.

Vendimi i qeverisë parashikon që kushdo që ndërton kulla pa leje apo kate shtesë pa leje, duhet ta deklarojë, t’ja shes shtetit për 1 euro, me pas mund ta blejë dhe e gëzon ndërtimin e paligjshëm i pashqetësuar. Ky akt është legalizim pa ligj i ndërtimeve pa leje, është amnisti penale pa ligj, duke i përjashtuar nga dënimi me burg, është certifikim i pabarazisë mes qytetarëve.

Me këtë akt Edi Rama ka kthyer paligjshmërinë në sistem, me këtë akt Edi Rama i dhanë leje shtetërore çdo oligarku që të shtojë pa leje sa kate të dojë, të ndërtojnë pa leje ku të duan, mjafton të paguajnë ca para më shumë, dhe pronën e gëzojnë të pashqetësuar. Ky vendim është në fakt një nxitje për milionerët e Edi Ramës për të vijuar të ndërtojnë kate pa leje.

Edhe pretendimi se milionerët do ta blenë ndërtimin e paligjshëm me çmimin e tregut, është një mashtrim. Çmimi i tregut që merret në konsideratë në këtë rast është çmimi i referencës që miratohet me VKM. Për ta thjeshtuar, shembullin po e japim me këtë ndërtim të paligjshëm. Në këtë zonë çmimi i tregut apo çmimi i referencës është rreth 1500 euro m2. Ndërkohë që nëse sot shkon në zyrën e shitjeve të kësaj kompanie, çmimi real i shitjes është 5000 euro m2. Pra ajo që bën Edi Rama është që i jep leje shtetërore oligarkëve të shtojnë kate pa leje sa të duan, dhe në fund nuk do të fitojnë 4500 euro për m2, por do të fitojnë 2500 euro për m2, mqs 1500 euro për m2 do ja paguajnë shtetit për blerjen dhe 500 m2 euro do paguajnë gjobë.

Në fakt ky vendim i Qeverisë është i paligjshëm. Është marrje në mbrojtje shtetërore të paligjshmërisë. Është cenimi më brutal që i bëhet shtetit ligjor.

Ligji e rregullon në mënyrë shteruese se çfarë ndodh nëse kryhen shtesa pa leje për qëllime fitimi, duke parashikuar 4 masa:

1- Gjobë të barabartë me vlerën e punimeve të kryera pa leje;

2- Prishje ose konfiskim për interes publik të punimeve të kryera pa leje, pra kalimin në pronësi të shtetit të kësaj pasurie;

3- Mos dhënien e lejes së shfrytëzimit dhe për pasojë pamundësinë për ta tjetërsuar edhe pjesën tjetër të pronës.

4- Referim në prokurori dhe dënimin me burgim për ndërtim të paligjshëm;

Edi Rama ka detyrimin të shpjegojë pse nuk zbatohet ligji për milionerët e tij, njëlloj siç zbatohet për qytetarët e tjerë të këtij vendi. Pse nuk ka asnjë përgjegjësi penal për ndërtuesit e paligjshëm dhe pse nuk ka asnjë masë për zyrtarët që nuk kanë vepruar? Pse policia shkon në mal tek një fshatarë që po rregullon çatinë, por nuk shikon Kullat pa leje në mes të Tiranës?

Ligji është i mjaftueshëm dhe vetëm duhet të zbatohet. Nuk ka autorizuar dhe as nuk ka nevojë për miratimin e një vendimi qeverie. Pasuria konfiskohet dhe më pas ajo tjetërsohet sipas rregullave të legjislacionit në fuqi, me garë dhe transparencë. Nëse duhet të shitet, shitet me garë, kush ofron më shumë fiton pronësinë mbi atë pasuri.

Ligji nuk njeh as mundësinë e legalizimin, as mundësinë e parablerjes, as mundësinë e shmangies nga përgjegjësia penale. E vetmja gjë që njeh ligji është detyrimi i Edi Ramës dhe institucioneve në varësi të tij për ta zbatuar.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur dje të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese këtë vendim, për shpalljen e tij antikushtetuese, për shkak se Vendimi i Qeverisë për të marrë në mbrojtje oligarkët e ndërtimit të Kullave pa leje në mes të Tiranës:

  • Është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse cenon barazinë e shtetasve përpara ligjit, cenon hierarkinë e akteve normative dhe nuk është autorizuar nga ligji;
  • Është në kundërshtim me Kodin Penal, sepse i jep amnisti penale një kategorie personash, pa ligj të miratuar me 3/5 e votave në Kuvend;
  • Është në kundërshtim me ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit;

Grupi Parlamentar i PD do të informojë Trupin Diplomatik të akredituar në Tiranë për këtë praktikë të paligjshme të qeverisë, që nxit, favorizon dhe i hap rrugë ndërtimit të Kullave në mes të Tiranës, duke favorizuar në këtë mënyrë një skemë të mundshme pastrimi të parave të pista, nisur nga fakti se sic ka pohuar vetë Prokurori i Përgjithshëm, ka dyshime të forta që një pjesë e parave që janë investuar në ndërtim në qytetin e Tiranës kanë si burim aktivitetet kriminale jashtë territorit të Shqipërisë.

Në emër të GPPD, gjejmë rastin të paralajmërojmë se asnjë cm shtesë pa leje nga oligarkët nuk do të legalizohet dhe cdo përfshirje e tyre apo zyrtarëve në këtë procedurë të paligjshme do të shkojë dëm. Pasuria sipas ligjit do të konfiskohet dhe do ti kalojë në pronësi shtetit. Kushdo që është përfshirë apo ka lejuar paligjshmërinë do të mbajë përgjegjësi ligjore.

Grupi Parlamentar i PD kërkon nga Prokuroria që të veprojë pa vonesa, të zbatojë Kodin Penal, jo vetëm ndaj ndërtuesve të paligjshëm, por edhe ndaj Edi Ramës dhe cdo zyrtari tjetër që është përfshirë në praktikën e paligjshme për të legalizuar Kullat e ndërtuara pa leje në mes të Tiranës, pa ligj dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Prokuroria duhet të hetojë dhe vendos para përgjegjësisë Edi Ramën dhe zyrtarët e tjerë shtetërore që me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar favorizimin e një grushti oligarkësh, për qëllime klienteliste dhe të dyshuara si korruptive./albeu.com