Gazetari rus, fitues i çmimit “Nobel”, Dmitry Muratov ka nxjerrë në ankand medaljen e tij për të mbledhur para për fëmijët ukrainas, sipas New York Times.
Ofertat do të pranohen deri më 20 qershor, sipas shtëpisë së ankandeve “Heritage Auctions”, me qendër në Dallas, Teksas. Të ardhurat do t’i jepen UNICEF-it për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve ukrainas.
Muratov, 60 vjeç, u nderua me çmimin “Nobel” për Paqen vitin e kaluar së bashku me gazetaren filipinase, Maria Ressa për përkushtimin e tyre ndaj lirisë së shtypit.
“Ne kemi kuptuar se për të ndihmuar fëmijët e Ukrainës ju mundeni dhe ju duhet të dhuroni gjënë më të çmuar dhe më të rëndësishme që keni. Dhe ne kemi vendosur të nxjerrim në ankand medaljen e artë Nobel”, tha ai në një mesazh në Twitter.
Vendimi për të nxjerrë në ankand medaljen e tij vjen disa ditë pasi fituesi i Eurovizionit, Orkestra Kalush, zbuloi se ata kishin nxjerrë në ankand trofeun e vitit 2022 për të mbledhur fonde për ushtrinë ukrainase.