Gazeta italiane i nxjerr bojën turizmit shqiptar: Mos u mashtroni! Çmimet janë “kacafiu”, shërbimi përtokë

Një pjesë e mediave italiane janë mbushur me shkrime PR me gjysmë të vërteta mbi “kostot e ulta” të pushimeve në Shqipëri duke bërë që shumë italianë të besojnë këtë dhe të vërshojnë në vend për t’u përballur vetë me realitetin: Çmimet nuk janë dhe aq të ulta, dhe shërbimi lë shumë për të dëshiruar.

Ky është thelbi i shkrimit të gazeta italiane lettera43.it, i cili ka bërë një analizë të mirëfilltë të turizmit në Shqipëri përtej marketingut, ekzagjerimit, i cili mund të na dëmtojë shumë në afatgjatë, përveç faktit se çmimet janë çmendur fare në jug.

Sipas medias italiane, Shqipëria është një vend i bukur, por çmimet janë shumtë të larta dhe po mbushin xhepat e biznesmenëve, çka e bën të papërballueshme duke marrë parasysh rritjen e çmimeve në sezon vere.

Media italiane shton se një hotel me pesë yje në Shqipëri është i krahasueshëm me një hotel të varfër me tre yje në Itali. Në fund të korrikut, hotelet në Shqipëri me cilësi minimale kërkojnë mesatarisht rreth 80-100 euro nata.

Gazeta shkruan se se lajmi se mund të paguhen 28 euro për fluturimin e kthimit nga Tirana në Milano, edhe nëse rezervoni në minutën e fundit, është jo e vërtetë, pasi fluturimi vajtje-ardhje nga Malpensa në kryeqytetin e Shqipërisë kushton të paktën 300 euro.

“Shqipëria është super mikpritëse, por ende shumë prapa në shumë aspekte. Infrastruktura veçanërisht dhe gjithashtu pastrimi i hoteleve. Një hotel shqiptar me pesë yje është i krahasueshëm me një hotel të varfër me tre yje në Itali. Në Dhërmi, ku deti është ndër më të bukurit por Sardenja dhe Sicilia janë ende të një niveli tjetër, edhe 200 euro për natë. Dy shezlongë buzë detit?

Nga 20 deri në 30 euro. Në fund të korrikut, hotelet me cilësi minimale paguajnë mesatarisht rreth 80-100 euro nata. Nuk e dimë se në cilat faqe të çuditshme apo në cilën kohë të vitit, ndoshta në sezonin jashtë, çmimet janë kaq të lira. Fluturimi nga Malpensa në kryeqytetin e Shqipërisë kushton të paktën 300 euro. Duke rezervuar pak paraprakisht, mund ta ulni çmimin në rreth 150 euro. Dhe për të marrë me qira një makinë ju duhen të paktën 50 euro në ditë.

Mos u mashtroni nga premtimi se do të shpenzoni ekuivalentin e një grushti eurosh në Shqipëri”, shkruhet në artikull.

 


Shtuar 12.08.2023 12:44