Gati për zjarr! Flet komandanti i “Grupit të Gatshëm” të Gardës: Çfarë ndodhi atë ditë

Sot shënohet 12 vjetori i 21 Janarit, demonstratës ku humbën jetën katër qytetarë në bulevard përballë Kryeministrisë. Mbrëmë në media doli një audio e komunikimeve të ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi me vartësit mes tyre Alfred Ahmetcenajt, ish-komandant i njësisë speciale të Gardës së Republikës.

Ish-komandant i njësisë speciale të Gardës së Republikës, epror i Agim Llupos i cili u arrestua dhe dënua së bashku me komandantin e Gardës për 21 Janarin (Ndrea Prendi) ka folur sot për gazetarin Dylber Balla të “5Pyetjet.al”duke mohuar audion që ka dalë dhe shprehet se nëse ka pasur qitje të drejtpërdrejtë, që ai thotë se nuk e besoj, nuk justifikohet.

Intervista e plotë

Zoti Ahmetcenaj a ju kujtohet komunikimi me zotin Prendi në 21 Janar?
Nuk e kam idenë. Nuk e di fare. Unë di që në 21 Janar kam kryer detyrën në zbatim të ligjit.

Nuk ju kujtohet momenti kritik kur humbën jetën protestuesit?
Në 21 Janar ka pasur komunikime në mënyrë të vazhdueshme.

Kjo audio del për herë të parë dhe nga qeveria është cilësuar si provë e re…
Nuk di të them. Nuk jam në gjendje të them tani komunikimet që kemi pasur, pas 12 vitesh. Por nuk gjykoj që ka ndonjë gjë këtu, ata le ta konsiderojnë gjë të re dhe si të duan. Këta janë komunikime normale të kryerjes së detyrës.

Ne e kuptojmë se kjo është çështje sensitive. 21 Janari ka qenë një ditë fatkeqe për atë që humbën jetën dhe për në gardistët. Hetimi është devijuar që në fillim për këtë çështje.

Këto që më thatë (për audion) nuk jam në gjendje as t’i konfirmoj dhe as t’i mohoj. Nuk di të them. Ne kemi pasur një plan masash që mendoj se është zbatuar në korrektesë. Në dijeninë time nuk kam shkelur ndonjë rregull.

Në audio, sipas transkiptit thuhet se Ndrea Prendi deklaron “ky është urdhri dhe nëse protestuesit kalojnë gardhin të hapet zjarr luftarak”, por ata nuk e kaluan gardhin…
Nuk di të them. Në dijeninë time nuk kam marrë urdhër kurrë për të qëlluar. Përdorimi i armëve të zjarrit është bërë në përputhje me ligjin.

Para një viti Ndrea Prendi thoshte që plumbat kanë qenë rikoshet, ju si mendoni?
Kjo duhet të dalë nga provat. Efektivët e mi, unë fola pas protestës, aty e mora vesh që kishte të vdekur dhe më thanë që armët janë përdorur pa kryer qitje të drejtpërdrejtë mbi njerëzit. As kam marrë urdhra për të vrarë njëri. Kjo që ndodhi nuk duhet të ndodhte.

Përdorimi i armëve personale është përgjegjësi personale atyre që e kanë. Çdo punonjës që ka qenë në detyrë në 21 Janar ka bërë një instruktazh dhe ka firmosur dhe e di përgjegjësinë për përdorimin e armës së zjarrit. Përgjegjësia është e atij që e ka në dorë armën. Ka pasur një plan masash për 21 Janarin pa menduar se do të vinte kjo.

Ju nuk keni marrë urdhër në radio për të qëlluar, njësia që ju drejtonit?
Jo! Këto që kanë dalë, transkiptet nuk i mbaj mend.

Qëndrojmë te audio, zoti Prendi ju tërheq vëmendjen duke ju thënë “Alfred, po afrohen shumë dhe duhet të jemi gati për zjarr”.
Këtë nuk e di. Nuk jam i sigurt për ta thënë këtë. Plani i masave e ka pasur të përcaktuar në momentin që kishin detyrimin për përdorimin e armëve.

Ky momenti i përdorimit të armëve ka qenë i përcaktuar në planin e masave. Edhe nëse “luan nga mendtë” dhe jep dikush urdhër për të qëlluar, sikur po pretendohet. E ka detyrimin punonjësi urdhrin e paligjshëm të mos e zbatojë.

Edhe nëse ka pasur urdhër…
Përdorimi i armës së zjarrit nuk i lë hapësirë që punonjësi ta përdorë me urdhër. Ngarkon personin përgjegjës me përgjegjësi të drejtpërdrejt. Këta duan ta keqpërdorin këtë ngjarje. Kjo në dijeninë time nuk është e mbyllur si dosje.

Ne na kanë thirrur dhe pyetur në mënyrë të vazhdueshme. Edhe nëse do të përdoreshin armët e zjarrit, në të gjitha rastet duhet të bëhej në përputhej me ligjin nëse prekej territori, por jo përdorimi i drejtpërdrejtë ndaj njerëzve. Përdorimi i armëve në ajër është në përputhje me ligjin.

Duke e parë tani pas shumë vitesh ku janë qëlluar protestuesit, vendi, a justifikohet nëse marrim versionin që ka qenë qitja e drejtpërdrejtë?
Nuk justifikohet në asnjë rast. Kjo duhet të dalë nga hetimi nëse është regjistruar qitja e drejtpërdrejtë apo nga cilët anë. Unë për fat kam qenë në pjesën e përparme të Kryeministrisë kur ka ndodhur kjo, përdorimi i armëve të zjarrit atë ditë. Nuk kam qenë as në kontakt vizual.

Pra, qitja e drejtpërdrejtë a justifikohet duke pasur parasysh pozicionin e protestuesve?
Nuk e besoj se ka pasur qitje të drejtpërdrejtë.

Si e ka shënjuar 21 Janari jetën tuaj?
Sigurisht është ngjarje stresuese. Humbja e jetës së njerëzve nuk duhet të ndodhi asnjëherë. Ndjej keqardhje për atë ngjarje. Të gjithë oficerët e gardës atë ditë në detyrë i ka tronditur. Kur ka mbaruar protesta e mësova që kishte viktima. Kjo është ngjarje tronditëse që nuk duhet të kishte ndodhur.