Në një vend ku procesi i vendimmarrjes së mazhorancës i ngjan një karnavali që sfidon logjikën, episodi i fundit ku gardistët pengojnë deputetët e opozitës të hyjnë në sallën e Kuvendit, ngre pyetjen: Kemi të bëjmë me satirë të nivelit të lartë apo thjesht me një skenë kafkiane?
Komisioni i Lartë i Etikës së Kuvendit me votat e shumicës vendosi që të përjashtojë deputetët të cilët u penguan për të qenë të pranishëm në sallën e Parlamentit.
Një deputet i shumicës që për bibël ka rregullin dhe përpikmërinë tha se: përjashtimi erdhi për shkak se kur u morën mungesat, deputët në fjalë ishin jashtë sallës së Kuvendit.
Pra mungonin në seancën më të rëndësishme, atë të së hënës së parë të muajit kur diskutohen hallet e elektoratit.
Por anëtarët e tjerë të komisionit nuk e trajtuan çështjen si një veprim thjesht teknik. Arsyetimi i tyre i ngjan ushtrimeve të vështira të gjimnastikës politike, ku mësimi është si të kapërcesh me një kërcim nga logjika në absurditet.
Përjashtimi i deputetëve të opozitës, thotë Komisioni i Lartë i Etikës, nuk është një masë ndëshkuese, por një përpjekje humane për të shpëtuar “Tempullin e Demokracisë” nga shkatërrimi i mundshëm dhe turpërimi publik. Njeriu për një nder rron. Vendi një Parlament ka!
Deputetët e mazhorancës, të njohur për angazhimin e tyre të palëkundur ndaj etikës, rregullave dhe ligjit, sigurojnë publikun vendas dhe partnerët ndërkombëtare se vendimi i tyre është mishërimi i përsiatjes së thellë dhe respektit të pa lëkundur ndaj parlamentarizmit.
Kushdo që vë në dyshim madhështinë e këtij vendimi është thjesht një mjeran që nuk është zhytur në thellësitë e procesit të tyre “tmerrësisht” të menduar.
Tani, le të shqyrtojmë të kundërtën e asaj që panë të gjithë live në 15 kanalet televizive. Të mendojmë për një moment të pa mendueshmen:
Deputetët me emra që tingëllojnë si personazhe të një tragjedie shekspiriane – Bardhi, Noka and co – do të shkaktonin kaos në “Tempullin e Demokracisë”.
Në këtë skenar hipotetik përzier me notat e tragjedikomedisë që na është shfaqur, Komisioni i Lartë i Etikës, si mbrojtës fisnik i virtytit parlamentar, do të detyrohej nga ndenja e lartë e detyrës që t’i pezullonte keqbërësit recidivist opozitarë për 60 ditë/netë të plota.
Këtë thotë rregullorja e re e miratuar me unanimitet të plotë nga deputetët e shumicës. Imagjinoni ankthin në fytyrat e opozitarëve të mbetur pa punë, pa rrogë dhe, më tragjikisht, pa foltoren e dashur të Kuvendit për 2 muaj, për tetë javë, apo 60 ditë, apo 1440 orë.
Është thuajse shekspiriane – një tragji – komedi me shumë akte.