Kontrata për shërbimet inxhinierike të pavarura për zbatimin e projektimit, ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës Porti i Jahteve-Bypass Orikum, Dukat ka rezultuar me keqllogaritje të fondit limit sipas audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Rapoti sjell në vëmendje se gabimi i konstatuar në këtë përllogaritje është rreth 156 milionë lekë apo 1.3 milionë euro. Vlera që rezulton të jetë përllogaritur gabim është ajo për shpenzimet e rimbursueshme dhe ku autoritetit kontraktor i është dashur të bëjë llogaritjet me një kontratë të ngjashme për të cilën i është referuar asaj të rrugës së Arbrit.
Por praktika e ndjekur sipas audituesve të KLSH është e gabuar pasi përllogaritja e fondit nuk është bërë për monitorim kontrate por për projektim duke e rritur dukshëm vlerën.
“Grupi i punës ka llogaritur fondin limit për kontratën “ në vlerën totale prej 193,497,925.13 lekë pa TVSH lekë, respektivisht, shpenzimet të drejtpërdrejta sipas llogaritjeve të VKM nr. 354, datë 11.05.2016 në vlerën 37,722,925,13 lekë pa TVSH dhe shpenzimet e rimbursueshme në vlerën 155,775,000 lekë, pa TVSH, e cila është për mbulimin e periudhës ndërtimorë prej 24 muaj dhe për mbulimin e periudhës së garancinë e punimeve prej 12 muaj, pra me kohëzgjatje 36 muaj (tre vjet).
Nga auditimi konstatohet se, fondi limit për kontratën e punës mbikëqyrëse është llogaritur në shumën 232,197,510.15 lekë me TVSH ose është rritur në vlerën 186,930,000 lekë me TVSH (232,197,510.15 lekë – 45,267,510.15 lekë).Vlera e rritur prej 186,930,000 lekë me TVSH sipas grupit të punës është llogaritur në zbatim të nenit 3 dhe 14 të VKM nr. 354, datë 11.05.2016” thuhet në auditim.
Teksa ka kërkuar shpjegime nga grupi i punës që ka bërë këtë përllogaritje audituesit kanë nënvizuar se grupi i punës nuk ka mirë argumentuar vlerën e llogaritur prej 186,930,000 lekë me TVSH, e cila është aplikuar mbi shpenzimet e drejtpërdrejta në vlerën 45,267,510.15 lekë të punës mbikëqyrëse.
“Veprimet e mësipërme janë në kundërshtim me VKM-në nr.354, datë 11.05.2016, neni 14. Në këtë rast kemi të bëjmë me mbikëqyrjen dhe monitorimin e zbatimit të kontratës dhe jo projektim siç e përcakton VKM-ja.
Nëse i referohemi nenit 3 të VKM-së nr.354, datë 11.05.2016 pika 4 dhe shpenzimeve të drejtpërdrejta të përllogaritura nga AK në vlerën prej 45,267,510.15 lekë, rezulton se shuma e shpenzimeve të rimbursueshme nuk duhet të tejkalonte vlerën prej 31,234,582 lekë ((45,267,510.15*0.6)*1.15).
Sa me sipër vlera për shpenzimet e rimbursueshme prej 155,695,418 lekë me TVSH (186,930,000 lekë -31,234,582 lekë) është e paargumentuar dhe e pajustifikuar mbi bazat ligjore nga grupi i hartimit të specifikimeve dhe fondit limit, vlerë e cila është përfituar padrejtësisht nga sipërmarrësi i “Shërbimeve inxhinierike të pavarura për zbatimin e Kontratës Koncesionare/PPP” në dëm të buxhetit të shtetit” thuhet në dokumentin e KLSH.
Ky i fundit ka kërkuar që të merren masa për të mos u bërë likuidimi i diferencës së shpenzimeve të rimburueshme ndaj sipërmarrësit, për shkak të keq llogaritjeve të vlerës së shërbimit të mbikëqyrjes, nga grupi i hartimit të fondit limit.
Koncesioni i rrugës Porti i Jahteve-Bypass Orikum- Dukat
Rruga Porti i Jahteve, Bypass Orikum-Dukat ishte pjesë e paketës 1 miliardë euro që u nis nga qeveria pak vite më parë dhe përfshiu disa projekte.
Me një vlerë 6.2 miliardë lekë me TVSH kjo kontratë u fitua në vitin 2018 nga “Gjikura” e cila më herët kishte bërë një ofertë të pakërkuar. Rruga ka një gjatësi 16 kilometra dhe në atë kohë u kritikua për koston e lartë për kilometër të saj.
Si pjesë e paketës së PPP-ve të dhëna në ato vite ishin rruga e Arbrit por edhe projekte të tjera të vonuara por që do të nisin zbatimin si Thumanë-Kashar./Monitor