Policia ka vënë në pranga një 37-vjeçar në Tiranë në kuadër të operacionit policor i koduar “Afternoon”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Ky shtetas shiste kanabis në doza të vogla në zonën e Yzberishtit.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Afternoon”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6.
Sekuestrohet një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza gati për shitje.
Vihet në pranga poseduesi i saj.
Procedohet penalisht një shtetas tjetër, për moskallëzim krimi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, se një shtetas shpërndante lëndë narkotike cannabis sativa në Yzberisht, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Afternoon”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– S. D., 37 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve, u procedua penalisht shtetasi S. Gj., 28 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Shtetasi S. D., pasi siguronte sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa, e shiste atë në doza të vogla, në zonën e Yzberishtit.
Në rrugën “Kadri Roshi”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin S. D., dhe shtetasin S. Gj. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit S. D., iu gjet dhe iu sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa, e ndarë në doza, gati për shitje.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasit S. D., si dhe identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.