Fundosja e peshkarexhës pranë ishullit të Sazanit, peshkatari: Si nëpër filma, qendruam sipër anijes

Një peshkarexhë u mbyt pasditen e sotme pranë ishullit të Sazanit. Për fat të mirë 3 peshkatarët të cilët mbetën në det të hapur shpëtuan, kur peshkarexha u fundos afër Sazanit.

Kapiteni i anijes, Mezan Mezani ka treguar për mediet momentin kur peshkatexha po fundosej.

Ai e përshkroi situatën si nëpër filma teksa tha se iu desh të qëndronin lart anijes.

“Falenderoj me zemër rojen bregdetare dhe policinë kufitare sepse ishim në një moment kritik. Deti ishte normal por dallgëzimi. Kam gjithë jetën që jam peshkatar. Na kanë ndodhur probleme por jo të kësaj shkalle. Ishim tre veta. Nuk kishim mundësi komunikimi. Kemi qëndruar sipër në ato filma, kemi qëndruar lart“, tha ai.

Peshkarexha “Bashkimi” 18 metra e gjatë u fundos mesditën e sotme në afërsi të Sazanit, ndërsa po peshkonte 3 milje në veri te Sazanit me tre peshkatarë në bord, pronari i anijes Flori Mezani së bashku me dy punonjësit.

Fillimisht personat që ishin në bord kanë kërkuar ndihmë, pasi tubat e shkarkimit që merrnin ujë nga deti janë çarë dhe për pasojë pjesa e motorit ka marrë në ujë.

Sipas informacioneve, defekti ka qenë në pjesën e pompave të ujit të lidhura me pjesën e detit, të cilat kanë marrë ujë dhe kjo ka sjellë fundosjen e anijes në 130 metra thellësi./albeu.com/