Demokracia në Maqedoninë e Veriut ka mbetur në vendnumëro, thekson raporti i fundit “Kombet në tranzicion” nga “Freedom House”. Vendi mori një rezultat prej 3.86 për përparimin demokratik, në krahasim me 3.82 në raportin e mëparshëm, në një shkallë nga 1 deri në 7, ku një tregon rezultatin më të ulët dhe shtatë pikën më të lartë për përparimin demokratik.
Në kategorinë e qeverisjes demokratike kombëtare, shteti ka marrë notën 3,50, për procesin zgjedhor 4,50, për shoqërinë civile 4,75, për median e pavarur 3,50, për qeverisjen demokratike vendore 4,25, për kornizën gjyqësore dhe pavarësinë 3,25, ndërsa për korrupsionin është vlerësuar me 3.25.
Raporti, i cili mat progresin demokratik të vendeve në tranzicion për një periudhë njëvjeçare, thekson se në Maqedoninë e Veriut, polarizimi i fortë politik dhe bllokimet parlamentare kanë penguar miratimin e legjislacionit në nivel kombëtar. Është vënë re edhe zhgënjimi në Ballkanin Perëndimor lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
FREEDOM HOUSE
“Qytetarët e Ballkanit Perëndimor u ndjenë të braktisur nga elitat vendase që kundërshtojnë reformat demokratike dhe nga elitat ndërkombëtare që nuk kanë vendosmërinë për të ndjekur procesin e pranimit”.
Institucionet demokratike në Ballkanin Perëndimor vazhduan të dobësohen në vitin 2022, me përmirësime modeste në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë. Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi përjetuan mosfunksionim akut politik gjatë vitit, thekson raporti, por vlerësimi i përgjithshëm i përparimit të tyre demokratik është më i lartë. Raporti thekson se BE duhet të rimendojë qasjen e saj dhe të riangazhohet në një mënyrë të sinqertë, por se “udhëheqësit kombëtarë kanë një detyrim për të ofruar përparimin demokratik që shumë prej qytetarëve të tyre dëshirojnë”. /SHENJA/