Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Fredi Beleri, ka lënë burgun për të shkuar në Strasburg, ku pritet të bëjë edhe betimin si eurodeputet.
Beleri ka dalë nga porta kryesore e burgut te Fierit, ku është pritur nga familjarë dhe makina e ambasadës.
Për median greke, ka pohuar se “jam i lumtur e ju falenderoj për mbështetjen që më keni dhënë per kaq muaj, të tjerat do i them në Athine”.
Ndërkohë, për median shqiptare ka thënë, se do të flasë në aeroport.
Drejtoria e Burgjeve ditën e djeshme (14 korrik) miratoi kërkesën 5-ditore për Fredi Belerin, në mënyrë që ai të kryejë betimin si deputet i Parlamentit Evropian.
Sipas njoftimi, leja e Belerit do të nisë të henën (15 korrik), kur ai do të udhëtojë drejt Francës dhe do t’i përfundojë më 20 korrik, kur do të duhet të vijojë dënimin në burgun e Fierit.
Njoftimi i plotë:
Pas kërkesës së të dënuarit Dhionisis (Alfred) Beleri për leje shpërblyese në funksion të ndjekjes së punimeve në Parlamantin Europian në datat 15-20 korrik 2024 në Strasburg, referuar Urdhërit të Drejtorit të Përgjithshëm nr. 733 prot, datë 04.06.2024 “Për përbërjen dhe funksionimin e Bordit të Monitorimit të dhënies së lejes shpërblyese dhe të veçanta për të burgosurit në IEVP” është dhënë leje shpërblyese për të dënuarin Dhionisis (Alfred) Beleri nga data 15 korrik deri në 20 korrik 2024.
Pas përfundimit të lejes pesë ditore, i dënuari Alfred Beleri do të kthehet në burgun e Fierit për të vazhduar kryerjen e dënimit, sipas vendimit të GJKKO.