Francezët sollën në SPAK përgjimet e “Sky” dhe “Enco”, detajet e “shpartallimit” të grupit të Dervishaj

Një letërporosi e mbëritur nga Drejtësia Franceze, ka vënë në lëvizje prokurorinë e Posaçme SPAK, të hetojë 11 persona si të përfshirë në ngjarjen kriminale të datës 1 nëntor 2019, të ndodhur në mbikalimin e Shkozetit.

Pikërisht në këtë ngjarje, mbeti i vrarë Andi Maloku, dhe i plagosur prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho alias “Rumi i Shijakut”.

Ky i fundit është shpallur në kërkim nga SPAK, për një çështje tjetër penale, siç është “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Korrupsionit aktiv” ndaj jë funksionari të hipotekës së Durrësit.

Sipas një materiali hetimor të mbëritur në SPAK, Bashkim Haxhija, nipi i deputetit të PS në Krujë, Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, agjenti doganor në Durrës, Marsel Deçka, Akil Ndërjaku, Julian Pjetri, Endrit Sinani dhe D.Shkëmbi, janë identifikuar fillimisht nga bisedat e zbuluara nga autoritet Franceze.

Më pas hetimet ndaj tyre kanë vijuar dhe në Shqipëri, duke plotësuar përgjegjësinë penale të gjithsecilit prej pjesëmarësve në këtë ngjarje kriminale. Më herët në muajin dhjetor 2019 është arrestuar për këtë ngjarje Rredjan Rraja dhe në muajin Maj 2020 është arrestuar Ariol Halilaj.

Sipas Ora News, letërporosia franceze, informonte prokurorët e SPAK, për një trafik të madh bisedash të zhvilluara mes Plaurent Dervishaj dhe anëtarëve të grupit të tij, lidhur me organizimin, sigurimin e armëve dhe automjeteve që do përfshiheshin në sulmin me armë ndaj Aleksandër Lahos.

Bisedat e grupit janë siguruar përmes thyerjes së kodeve dhe përgjimit të aplikacioneve “Sky” dhe “Enco Chat” të bërë nga Drejtësia Francese gjatë vitit 2019 dhe 2020.

Prej disa kohësh këto biseda tashmë, janë në tavolinën e prokurorëve të SPAK, të cilët mësohet se kanë pasuruar materialin e mbëritur nga Franca, edhe me hetime shtesë të kryera në Shqipëri.

Bisedat e mbëritura nga autoritet Franceze, flasin jo vetëm për atentatin ndaj Aleksandër Lahos, por dhe një përgatitje të dytë dhe rigrupim forcash për sigurim të armëve dhe mjeteve, me qëllim realizimin e një goditje të dytë kundër Lahos.

Laho, është një nga kundërshtarët kryesorë të Plaurent Dervishaj dhe në rrugë operative së bashku me Arben Manecin, i vrarë në muajin Maj 2022, është një ndër njerëzit e dyshuar për sulmin me armë në 20 qershor 2019, ndaj Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj dhe Bashkim Haxhiaj. Kjo ngjarje prej gati 4 vite, vijon të mos zbardhet nga prokuroria e Durrësit.

Mes bisedave, ka dhe komunikime për trafikimin e kokainës si dhe ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në Durrës dhe qytete të tjera, çështje të cilat po hetohet në vijim nga prokurorët e SPAK./Albeu.com/


Shtuar 22.01.2023 12:21